Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka sqaruar për opinionin publik se prania e parazitëve të llojit Anisakis simplex në disa lloje të peshkut të detit apo oqeanit nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e produkteve të ngrira, pasi procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta neutralizon këta parazitë.
Në një komunikatë zyrtare, AUV ka theksuar se prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje.
Sipas AUV-së, peshku i ngrirë mbetet i sigurt për konsum, veçanërisht kur përgatitet në temperatura mbi 60°C – një standard që garanton asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm shëndetësor.
Rreziku potencial, sipas institucionit, mund të paraqitet vetëm në rastin kur konsumohet peshk i freskët (i pa ngrirë) dhe që nuk i është nënshtruar as trajtimit termik, as ngrirjes, siç ndodh me përgatitjet si crudo, sushi apo sashimi. Në këto raste, theksohet se “Peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi.”
Ky rekomandim është në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Kanadasë, dhe është i përfshirë edhe në legjislacionin e Kosovës, i cili është i harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore.
Agjencia nënvizon se këto standarde janë të bazuara në studime shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë:
EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore)
FAO (Organizata e OKB për Ushqim dhe Bujqësi)
“Theksojmë edhe njëherë se, në rastin kur ky produkt përdoret sipas udhëzimeve, domethënë përmes përgatitjes termike (gatimit) apo ngrirjes, ai nuk paraqet rrezik për shëndetin publik,” thuhet më tej në njoftim.
AUV gjithashtu bën thirrje për qasje profesionale në komunikimin publik, duke apeluar që qytetarët, mediat dhe institucionet relevante të shmangin interpretimet e gabuara që mund të krijojnë panik të panevojshëm.
“Institucionet përgjegjëse, në këtë rast AUV, vazhdojnë të mbikëqyrin dhe kontrollojnë në mënyrë rigoroze sigurinë ushqimore në treg, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare,” përfundon komunikata.