Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka konfirmuar se në tregun e Kosovës nuk ka çipsa nga prodhuesi serb, të cilët përmbajnë substanca kancerogjene.
Inspektorati Shtetëror i Kroacisë ka njoftuar sot se janë zbuluar substanca kancerogjene në disa produkte ushqimore serbe. Gjatë ditës, në kufirin Kroaci-Serbi, një nivel i lartë i akrilamidit kancerogjen është gjetur në çipsa. Bëhet fjalë për prodhuesin Chips Way d.o.o. nga Çaçaku – Chips Bits & Byte Paprika 150 g.
Nga AUV-i kanë deklaruar se nuk ka dyshime për produktet që eventualisht ende mund të ketë në treg nga ky prodhues për shkak se nga qershori nuk është lejuar asnjë import nga Serbia.
“Në momentin që pranohet informim zyrtar nga RASFF, inspektorati i AUV-it është i gatshëm për veprim. Me informatat e deritanishme nuk ka dyshime për produktet që eventualisht ende mund të ketë në treg nga ky prodhues për shkak se: nga data 14/06/2023 sipas urdhrit nuk është lejuar asnjë import i produkteve me origjinë nga Serbia, urdhër i cili është ende në fuqi”, ka deklaruar zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi.
Ndryshe, lajmi për gjetjen e nivelit të lartë akrilamide në patatet e skuqura (çipsa) të prodhuar në Serbi, është bërë i ditur në faqen e internetit të Komisionit Evropian.
Akrilamide gjenden zakonisht në bukë, patate të skuqura, drithëra, biskota dhe kafe.
Agjencia Kroate e Ushqimit vlerëson se prania e akrilamidit në ushqim mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit në të gjitha grupmoshat e njerëzve.