Kur e portretizoi recitatorin e shquar në një shkrim në gazetën “Rilindja”, më 1979, Tafil Ramaj, zor ta ketë menduar se kishte prezantuar atë që më vonë do të njihej si bartës i teatrit avangardë të Kosovës.
Nxënësi i klasës së pestë të shkollës fillore që asokohe quhej “Vëllazërim-Bashkim” në Suharekë do t’i binte në sy. Në tetëmbëdhjetë rreshta ai do t’ua shpaloste lexuesve portretin e Lumit me titullin “Bekimi e do këngën”, shkruan sot Koha Ditore.
“Ato që na shtynë të shkruajmë për këtë nxënës është zgjuarsia e tij, suksesi shembullor, të recituarit bukur, zëri i tij i këndshëm, aftësia për t’iu rënë veglave muzikore etj.”, raportonte “Rilindja” më 12 qershor 1979.
Në këtë artikull shpjegohej që Lumi ka të lexuar shumë romane dhe përmbledhje vjershash. “Ka mësuar shumë poezi përmendësh, të cilat i reciton në shumë manifestime… Ai është shpallur recituesi më i mirë i shkollës”, shkruhet në këtë artikull.
Lumi do të bëhej ndër fytyrat kryesore të artit teatror në vend. Shpërthimet e tij artistike nuk i ndali asnjëherë deri në fund të jetës. Kësisoj edhe e përmbylli jetën, pas një beteje të rëndë e të gjatë me sëmundjen.