Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj, pritet që karrierën ta vazhdojë në Zvicër, te skuadra e Luzernit. Kështu ka njoftuar gazeta e madhe zvicerane “Blick”.
Mësohet se Luzerni tashmë është futur në negociata me ekipin holandez Willem II, që e ka nxjerrë Avdijajn në shitje për mungesë të disiplinës. Pritet që brenda këtyre ditëve Avdijaj të zyrtarizohet te Luzerni, pasi afati kalimtar i janarit në Zvicër mbyllet të premten në orën 23:59.
Avdijaj 22-vjeçar, te Willem II është transferuar para fillimit të këtij edicioni dhe ka firmosur kontratë deri në qershor të këtij viti, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Ai ka shënuar tetë gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 19 paraqitje për Willemin, por është përjashtuar nga ekipi i parë për shkak të thyerjes së rregullave të disiplinës.
Avdijaj ka gjashtë paraqitje me Kosovën, kurse karrierë ka bërë edhe te Roda, Sturmi e Schalke. Skuadra e Luzernit renditet e gjashta në Superligën zvicerane.