Përvoja e sulmuesit Donis Avdijaj te Trabzonspori nuk do të zgjasë më shumë se gjashtë muaj, pasi ekipi turk ka vendosur ta largojë gjatë afatit kalimtar të janarit.
Mediumet turke kanë raportuar të enjten, se Avdijaj do të jetë futbollisti i parë që do të largohet nga ekipi me kërkesën e trajnerit Unal Karaman, transmeton Koha Ditore.
Trajneri turk nuk është i kënaqur me kosovarin prej të cilit ka pritur shumë këtë edicion. Te Trabzonspori u transferua në korrik të këtij viti si futbollist i lirë.
23-vjeçari me ekipin turk ka kontratë njëvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për tre vjet të tjerë nëse dëshmohet në edicionin e parë te Trabzonzpori. Por kjo nuk do të ndodhë.
“Donis Avdijaj do të largohet nga klubi në janar, pasi kështu kanë vendosur drejtuesit te Trabzonspori. Menaxhmenti i klubit e pati transferuar me shpresa të mëdha Avdijajn gjatë verës, i cili nuk bindi me paraqitjet e tij. Avdijaj është i pari në listë që do të largohet, kurse pas tij janë edhe disa të tjerë që nuk kanë bindur trajnerin Unal Karaman”, ka shkruar sajti “Aksam” të enjten. “Në klub tashmë kanë vendosur që Avdijaj të largohet pa i përfunduar kontrata dhe po shpresojnë që të ketë ekipe të interesuara për shërbimet e tij”.
Avdijaj këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka bërë dy asistime në 18 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Trabzonsporit.