Avdullah Hoti kritikon qeverinë Kurti për mungesë të investimeve kapitale

Prishtinë | 05 Gus 2024 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se me ta vetëm zhvillim s’ka, pasi siç thotë ai vetëm në muajt e parë të këtij viti investimet kapitale të realizuara janë vetëm 21 për qind.

Sipas tij, edhe në këtë gjashtëmujor, po vërtetohet se buxheti për projekte kapitale kalon në suficit, siç ka ndodhur edhe në tri vitetet e kaluara.

“Me këtë qeverisje, vetëm zhvillim nuk ka. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë realizuar vetëm 21% e investimeve kapitale.

Qindra projekte të parapara në buxhet nëpër ministri të ndryshme nuk kanë nisur të realizohen. Raporti gjashtëmujor i buxhetit vërteton se edhe sivjet po vazhdon trendi i tri viteve të kaluara, ku buxheti për projekte kapitale kalon në suficit. Tani është e sigurt se ky mandat qeverisës do të mbyllet me dështim të plotë në investime kapitale”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.

“Një ekonomi ku nuk ka investime të mjaftueshme kapitale, publike dhe private, nuk ka zhvillim. Kur nuk ka investime, jo vetëm që nuk shtohet kapitali prodhues, por vjetërsohet dhe bëhet i papërdorshëm edhe kapitali ekzistues”, ka thënë tutje Hoti.

Të ngjashme