Deputeti nga partia Guxo, Haxhi Avdyli, vlerëson se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, meriton edhe një mandat tjetër.
“Vjosa Osmani si presidente në 5-vjeçarin e kaluar ka treguar një performance dhe paraqitje brilante në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit, por edhe në çështjet e brendshme. Normalisht që një kandidate si Vjosa Osmani, me gjithë këtë përgatitje si politike, si profesionale, si në lidhjet e saj me miqtë tanë ndërkombëtarë është kandidatja më e qëlluar për vazhdimin e kësaj detyre”, u shpreh Avdyli.
Avdyli, në një prononcim për media, u shpreh se beson që edhe Lëvizja Vetëvendosje është pro Osmanit.
Megjithatë, Avdyli thotë se roli i opozitës është vendimtar në vazhdimin ose jo të një mandati tjetër për Vjosa Osmanin, shkruan portali Dukagjini.
“Mendoj që Vjosa Osmani është kandidatja e duhur, besoj që edhe partneri i koalicionit, Lëvizja Vetëvendosje, është pro Vjosa Osmanit. Ju e dini që nuk mjafton 66 vota tona, por as votat Vetëvendosje-Guxo nuk mjaftojnë, na duhet një konsensus më i gjere dhe në këtë kuptim na duhen edhe minimumi edhe 15 vota të cilat ne nuk i kemi – nuk është çështja për dy vota, por për 15. Roli i opozitës në këtë rast është i madh për të vendosur se a duhet të vazhdohet mandati i Osmanit apo të zgjidhet një emër tjetër”, deklaroi Avdyli.