Kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Avni Zogiani, ka paraqitur 28 zotimet e tij dhe të Lëvizjes VV për Fushë-Kosovën.
Planifikimi për regjistrimin e banorëve; furnizimi pandërprerë me ujë; transporti publik për fshatrat; paralele të nivelit parashkollor në secilin fshat; kritere strikte në ndërtim; kthimi ose dhënia në shfrytëzim e tokave të ekspropriuara nga KEK; riorganizimi i administratës; janë disa nga zotimet që ka shpjeguar para publikut kryetari I ardhshëm i Fushë-Kosovës.
28 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Fushë – Kosovës
- Planifikim për regjistrimin e banorëve të Fushë-Kosovës – kërkesa për rritjen e granteve nga niveli qendror qeverisës.
- Plani i masave dhe investimeve për furnizimin e pandërprerë me ujë -zëvendësimi i rrjetit të ujësjellësit të ndërtuar me gypa azbesti dhe trajtimi i kanalizimit të ujërave të zeza – pusetat në fshat – ndarja e ujërave në qytet.
- Trajtimi i mbeturinave me një projekt të veçantë.
- Themelimi i Ndërmarrjes banesore si dhe shtrirja e rrjetit të ndriçimit në çdo rrugë në të gjitha vendbanimet.
- Organizimi i transportit publik për fshatrat dhe vendosja e standardeve në orare e itinerare.
- Trajtimi i çdo problemi të paraqitur nga banorët për hapësirat publike – krijimi i aplikacionit për raportimet në çdo kohë.
- Ulja e numrit të nxënësve në klasa – ndërtimi i dy shkollave të reja në qytet, një shkollë në lagjen Dardania dhe hapja e tri çerdheve të reja.
- Shujtat për secilin nxënës – një pilot projekt në fshat: lidhja e kuzhinave familjare me shkollën. Vizita të përgjithshme mjekësore për të gjithë nxënësit e shkollave fillore.
- Hapja e paraleleve të nivelit parashkollor në secilin fshat dhe në secilën lagje në qytet.
- Trajtimi i kualitetit të ulët të edukimit – ri-kualifikimi i stafit mësimdhënës, mbështetja e tyre me trajnime dhe me tekste shkencore.
- Dixhitalizimi i shkollave, krijimi i laboratorëve shkencorë dhe me kompjuterë në secilën shkollë. Hapja e një qendre për arsimin teknologjik nga kompanitë teknologjike – IT HUB.
- Ndihma e vazhdueshme në shkollim për të rinjtë dhe përkrahja e vazhdueshme e çerdhes për familjet e komunitetit rom, ashkali e egjiptas, planifikimi i një shkolle profesionale me disa drejtime.
13. Vendosja e standardeve dhe kritereve strikte në ndërtim si dhe rishikimi i planit rregullativ urban.
- Krijimi i një rripi me drunj që do të rezultonte me një park dhe mbrojtjen e qytetit nga ndotja e KEK-ut.
- Riorientimi i trafikut me rrugë njëkahore në lagjet e urbamizuara dhe ridizajnimi i parkingjeve me qëllim të lirimit të trotuareve për gjelbërim, këmbësorë dhe biçiklistë.
- Ndërtimi i një rruge që kalon përbri hekurudhës në afërsi të Bardhit të Vogël që lidh fshatrat përreth me autostradën.
- Shtrimi nëntokësor i rrjetit të kabllove optike dhe kabllove tjera kudo që hapet rruga apo kanalizimi.
- Hapja e ambulancave në fshatra, dhe riorganizim i personelit mjekësor – ndarja e mjekësisë në emergjente dhe familjare. Blerja e së paku dy auto-ambulancave moderne.
- Sigurimi i pajisjeve e mjeteve të tjera të domosdoshme për punë në ambulance dhe hapja e një barnatore që punon 24 orë. Ngritja e sistemit të kontrollit dhe raportimit për menaxhimin më të mirë të barërave të listës esenciale.
- Ndërtimi i një tregu ku prodhuesit vendor në bujqësi e blegtori shesin produktet e tyre.
- Kthimi ose dhënia në shfrytëzim e tokave të ekspropriuara nga KEK, sidomos në fshatra.
- Shkurtimi i shpenzimeve te panevojshme të administratës: 10 % të buxhetit të kursyera investohen në arsim e shëndetësi.
- Identifikimi i pronave dhe pasurisë së komunës nëpërmjet një inventarizimi.
- Insistimi në obligimet e korporatave për investim në ambient – Konventa e Arhusit.
- Trajtimi i ndotjes së lumenjve, fillimisht me puseta për kanalizim – sistemi i kontenjerëve për riciklim.
- Ri-funksionalizimi i Shtëpisë së Kulturës – rithemelimi i Teatrit “Qëndresa”- Krijimi i një biblioteke dhe kinemaje moderne në kuadër të Shtëpisë së Kulturës – Riaktivizimi i klubeve sportive.
- Dy nënkalime për këmbësorë – një tek shkolla “Mihal Grameno” dhe një tek rrethi.
- Riorganizimi i administratës – Vendosja e një kodi etik në administratë dhe transparencë radikale.