Avokatët e huaj të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë bërë kërkesë pranë SPAK për një takim të dytë me të, këtë herë më 10 shtator.
Sipas kërkesës së avokatëve, takimi lidhet me përgatitjen e aplikimit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku synohet të dërgohet çështja e arrestit në burg të Veliajt.
Në takimin e parashikuar për 10 shtator, Veliaj pritet të firmosë dokumentet për apelimin që do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
Hapi i avokatëve vjen pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e kryebashkiakut. Kushtetuesja ka rikthyer për shqyrtim në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë ndaj Veliajt, duke kërkuar një arsyetim më të qartë mbi nevojën e vijimit të arrestit në burg dhe moszëvendësimin e tij me një masë më të butë.
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, ora 09:30, për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025 dhe aktualisht është i vetmi person në procesin gjyqësor ndaj të cilit vijon masa e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërkohë, procesi ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë vijon në fazën e shqyrtimit të themelit në GJKKO.
Nëse aplikimi dorëzohet, çështja e arrestit të Veliajt do të kalojë kështu edhe në planin e një beteje ligjore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut./Euronews.al/