Avokatët optimistë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Prishtinë | 25 Jan 2026 | 08:31 | Nga Ekonomia Online

Njohës të çështjeve të drejtësisë janë optimistë për një vendim lirues, në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar dosjet përfundimtare nga prokuroria, avokati i viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Ekonomia Online.

Sipas procedurës, fjalët përfundimtare të palëve pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt, ndërsa pas përfundimit të tyre procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur. Katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Avokati Ardian Bajraktari tha se kjo fazë është vendimtare për procesin gjyqësor dhe se, sipas tij, dëshmitë e mbrojtjes kanë qenë relevante.

“Natyrisht pas bërjes publike të datave kur do të dëgjohen deklaratat përmbyllëse të palave. Trupi gjykues ka caktua paraprakisht edhe afatin brenda së cilës palët kanë qenë të detyruar të paraqesin versionet me shkrim të deklaratave veprim të cilën tashmë e kanë bërë dhe deklaratat përmbyllëse do të bëhen nga data 9 deri më 18 shkurt ku realisht është edhe faza e fundit ku palët mund të paraqesin pikëpamjet e tyre në lidhje me akuzat dhe natyrisht kundër argumentimin që do t’i bëjë mbrojtja. Ajo çka është e rëndësishme të theksohet është që kjo është fazë jashtëzakonisht e rëndësishme ku palët me theks të veçantë mbrojtja duhet të fokusohet te relevanca e dëshmive dhe të besueshmëria e deklaratave me theks të veçantë dëshmitareve në këtë drejtim vlerësoj që dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë relevant kanë qenë jashtëzakonisht të përgatitur, shumë persona të përfshirë në këtë proces çka i bën dëshmitar okular për çka në bindjen time deklaratat e tyre jo vetëm që kanë shku në funksion të mbrojtjes mirëpo para se gjithash në radhë të parë kanë shku në funksion të së vërtetës është konstatuar ajo që dihej nga fillimi fakti që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pas një strukturë hierarki të mirëfillta komanduese nuk ka pas mundësi të ushtrimit efektiv të kontrollit si dy prej elementeve esenciale për tu konstatuar përgjegjësia komanduese për çka ballafaqohen me këto akuza katërshja e UÇK-së”, tha ai.

Ai shtoi se, sipas tij, prokuroria nuk ka arritur t’i argumentojë pretendimet.

“Me aq sa kemi parë deri tash natyrisht në bindjen time tezat e prokurorisë në lidhje me atë se çka në fakt pretendon ajo nuk kanë arrite me u argumentu dhe dëshmitë e dëshmitarëve por edhe dokumentet e tjera të cilat e kanë shoqëruar deklarimet e dëshmitarëve të mbrojtjes siç janë raporte të administratës amerikane por edhe dokumente të tjera shumë relevante të kohës e kanë konfirmu atë që nuk kanë arrit mu argumentuar tezat e prokurorisë për sa i përket çështjes së ekzistimit të një strukture dhe hierarkie për më tepër jo në pak raste e kemi parë dëshmitarët e mbrojtjes me theks të veçante kanë paraqit vështirësitë së tyre për sa i përket mënyrës së komunikimit me njerëz të UÇK çka dëshmon qartazi që nuk ka pas një strukturë apo hierarki komanduese. Vlen të theksohet fakti që pas përfundimit të deklarimit të deklaratave përmbyllës kryetari i trupit gjykues e konstaton të mbyllur procesin dhe pas kësaj trupi gjykues ka afat tre muaj me mundësi edhe dy muaj të tjerë shtesë që ta shqyrtoj komplet dosjen dhe të marr vendim dhe në bindjen time me aq sa kemi parë besoj se do të jetë vendim lirues dhe rinkonfirumues që UÇK-ja nuk ka kryer krime, nuk ka pas qëllim të kryej krime, nuk ka pas një strukturë një hierarki për çka natyrisht unë jam optimist që nga qershori eventualisht nga korriku të këtij viti do ta kemi epilogun në shkallë te parë të kësaj çështje”, tha ai.

Bajraktari foli edhe për shkelje gjatë procesit.

“Ka qenë një proces i stërzgjatur me shkelje bukur të mëdha filluar nga mungesa e theksuar e transparencës çka ka rezulto me cenimin e njeriut prej elementeve esenciale për një gjykim të drejtë siç është çështja e parimit të publicitetit në procedurë pastaj natyrisht kemi parë edhe prova me të cilat jo në pak raste kanë qenë jokredibile jo të besueshme por për me tepër në bindjen time janë marr edhe në kundërshtim me vet dispozitat e rregullores të provave pastaj e po ashtu kemi parë edhe një qasje jo balancues në raport me palët sa i përket trupi gjykues për më tepër një nga shkeljet e mëdha dhe në vazhdimësi ka qenë masa e paraburgimit si masa më e ashpër për sigurimin e prezencës së pandehurit në procedurë. Kjo masë në bindjen time ka qenë jo proporcionale në rast jo më herët së paku nga fillimi i prillit i vitit që shkoj në kohën kur pati përfunduar së dëgjuari lista e dëshmitarëve të prokurorisë pastaj po ashtu kemi pa edhe prova dhe dëshmitarë të cilët kanë ekzagjerua një së paku prej tyre e ka pranuar publikisht që ka ekzagjeruar më tepër sa që ka përjetuar për me tepër e kemi parë edhe një dëshmitare nga komuniteti serb nga rajoni i Rahovecit ku e pranuar me zë deklaratat të cilat i dëgjoheshin nuk i ka thënë asnjëherë. Te gjitha këto e bëjnë që një proces në bindjen time është shoqëruar me shkelje të vazhdueshme dhe jo të pakta por megjithatë unë jam optimist që fundi i procesit do të rezultojë suksesshëm”, tha ai.

Ndërkohë, avokati Arbër Jashari u shpreh më i rezervuar për parashikime, por tha se sipas tij aktakuza nuk është vërtetuar.

“Mendoj që është jo serioze dhe askush nuk e di se si do të vijë fundi i një procesi gjyqësor. Njerëzit mund të flasin në bazë të dëshirave dhe mund të jenë subjektiv, por gjithsesi unë si profesionist jam i bindur që nga ajo që kemi parë gjatë gjithë shqyrtimit kryesor nuk është vërtetuar asnjë pikë e aktakuzës. Por gjithsesi mbetet të shihet deri në përfundim të procesit gjyqësor, sepse ka pasur shumë gjëra që gjykata nuk i ka transmetuar si pasojë e seancave të mbyllura për shkak të ruajtjes së identitetit të dëshmitarëve”, tha ai.

Ai shtoi se ka shqetësime për qasje subjektive të gjykatës.

“Ajo që më tremb më së shumti është që kjo gjykatë mund të tregohet subjektive, pra pavarësisht se në këndvështrimin tonë si profesionistë nuk është vërtetuar asnjë prej pikave të aktakuzës për asnjë prej të akuzuarve. Reagimet e gjykatës herë pas here kanë lënë me besu që mund të jetë subjektive dhe mund të jetë e anshme, gjë që përbën një frikë reale për fundin e procesit. Por nëse do të kishte drejtësi dhe nëse do të përdoreshin në zbatim standardet më të larta të drejtësisë të të gjykuarit, atëherë besoj që do të kishte një aktgjykim lirues për gjithë të akuzuarit”, tha ai.

Të ngjashme