Avokati Berisha: Mjekësia s’ka folur ende, Policia po linçohet padrejtësisht

Lipjan | 09 Kor 2025 | 15:18 | Nga Ekonomia Onlines

Avokati Besnik Berisha, që mbron njërin nga policët e arrestuar për rastin në Lipjan, ka thënë se zyrtarët policorë nuk janë as fajtorë, as nuk e meritojnë të jenë në pritje të një dënimi, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se mjekësia s’ka folur ende për shkakun e vdekjes e as për “substancat në organizmin e tani të ndjerit”.

Sipas avokatit, policët e kanë kryer punën e tyre dhe “fakti që dikush ka humbur jetë, ndodh gjithkund”.

“Është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit për pesë zyrtarë policorë, për një rast që e ka tronditur secilin prej nesh. Një rast për të cilin besoj fuqishëm se asnjëri nga këta zyrtarë nuk ka kontribuar dhe as e ka shkaktuar atë. Policia sot po sulmohet, po linçohet dhe po evidentohet padrejtësisht, ndërkohë që mjekësia ende nuk ka dhënë një përgjigje për shkakun e vdekjes, e aq më pak dihet se cilat kanë qenë substancat që ndodheshin në organizmin e të ndjerit”.

“Humbja e tij na ka tronditur të gjithëve, por zyrtarët policorë nuk janë fajtorë dhe nuk meritojnë të presin një vendim të drejtësisë në këto rrethana. Ata kanë kontribuar për liri dhe siguri, kanë vepruar sipas trajnimeve dhe dolën në ndihmë të qytetarëve të Lipjanit”, tha avokati.

Tutje, ai shtoi se nëse prokuroria nuk i beson prokurorit, atëherë kemi problem me sistemin e drejtësisë.

“Fakti që dikush ka humbur jetë, ndodh gjithkund. Sot u kërkua masa e paraburgimit sepse raportet janë të acaruara. Veprimet e tani të ndjerit kanë qenë të dhunshme. I pari që ka telefonuar për ndihmë ka qenë prokuror. Nëse prokuroria nuk i beson prokurorit, atëherë kemi problem me sistemin.

Zyrtarët e kanë kryer detyrën e tyre. Ata s’mund ta zëvendësojnë doktorin. Kemi një situatë ku duhet të flasë mjekësia”.

Të ngjashme