Në seancën ku thuhen fjalët përfundimtare për rastin e vdekjes së katërvjeçarit Almir Aliu nga Kumanova, avokati Stevo Pavllevski duke folur në emër të Boban Iliqit ka thënë se vepra është kryer e nxitur nga familjarët e Almir Aliut dhe ka kërkuar nga Gjykata e Kumanovës që Iliq të lirohet nga çdo akuzë dhe të shpallet i pafajshëm për veprën “aksident trafiku me pasoja vdekje”, transmeton Portalb.mk.
Sipas avokatit Pavllevski thuhet se Iliq veprën nuk e ka kryer me paramendim, por ka qenë i nxitur nga familjarët e vogëlushit Sedat Aliu, Abdullah Aliu dhe Sami Demiri.
“Iliq nuk është kryerës i veprës penale “Aksident trafiku me pasoja vdekje” dhe dëshmitë dhe faktet tona konstatojnë se ai nuk e ka shkaktuar situatën e rrezikshme, por kanë qenë familjarët e Almirit ata të cilët e kanë nxitur që Iliq ta kryejë këtë vepër. Sipas ngjarjes fillimisht Iliq, në spitalin ku ka ndodhur zënka verbale ka qenë i kërcënuar nga babai i Almirit ndërkaq më pas edhe i ndjekur dhe i sulmuar fizikisht nga familjarët e Almirit. Gjatë ikjes nga spitali, Iliq në mënyrë të paplanifikuar dhe të paparamenduar, në ndikim të frikës, ka goditur Almirin”, tha avokati Pavlevski.
Gjatë seancës avokati në emër të Iliqi ndaj nënës së Almir Aliut kërkoi falje për ngjarjen.
Seanca do të vazhdojë në orën 12:00 ku fjalët përfundimtare do të thuhen nga pala mbrojtëse e Almir Aliut.