Gashi: Nëse kryeministri do t’i anulonte vizitat jashtë shtetit për t’u paraqitur në prokurori, do krijonte skandal diplomatik

Prishtinë | 16 Dhj 2024 | 15:51 | Nga Diellza Gashi

Prokuroria Speciale nuk ka kontaktuar me zyrën e kryeministrit Albin Kurti, para se të caktoj një datë për të intervistuar kryeministrin, në të kundërtën do ta kuptonte agjendën e kryeministrit dhe do të informohej se ai ndodhet në Slloveni në takime të paracaktuara qysh më parë, ka konfirmuar për  Ekonomia Online, avokati Tomë Gashi.

Gashi tha se do të ishte skandal diplomatik nëse kryeministri do t’i anulonte vizitat shumë të rëndësishme jashtë shtetit të Kosovës që të shkoj në Prokurori Speciale për të dhënë një deklaratë.

“Fillimisht besoj se është e qartë që kryeministri është jashtë Kosovës dhe për shkak të agjendës së tij, takimet që ka jashtë Kosovës, ka qenë në Kroaci, besoj dhe në shtete të tjera do të jetë para se të kthehet në Kosovë, kanë qenë të konfirmuara më herët. Dhe do të ishte skandal diplomatik nëse kryeministri do t’i anulonte vizitat shumë të rëndësishme jashtë shtetit të Kosovës që të shkoj në Prokurori Speciale për të dhënë një deklaratë. Për sot që ka qenë e caktuar në ora 09:30, besoj që prokuroria nuk e ka asgjë për ngut dhe tani veçse zëdhënësja e prokurorisë e ka konfirmuar që të caktohet një datë tjetër, mirëpo, kjo datë tjetër do të caktohet në harmoni me zyrën e kryeministrit. Herën e parë kur është dërguar ftesa që ka qenë më 11 dhjetor kur është pranuar në zyrën e kryeministrit kjo ftesë, për ditën e sotme ka mundur dhe më herët që të aranzhohet dhe që të bisedojnë zyrtarë të prokurorisë apo të themi asistentet apo vet prokuroret e çështjes që bisedojnë me zyrën e kryeministrit për të aranzhuar ditën e marrjes në pyetje të kryeministrit Kurti në cilësinë e dëshmitarit, për kohën e përshtatshme që është e përshtatshme për të dy institucionet, kryeministri dhe prokurori”, ka thënë Gashi.

Gashi ka theksuar se ftesa e radhës do të jetë e harmonizuar në bazë të orareve të angazhimeve që i ka kryeministri, sipas tij sigurisht edhe prokuroria.

“Zëdhënësi i qeverisë ka deklaruar që kryeministri pret dhe prokurorët e caktuar që mund të shkojnë dhe në zyrën e tij. Kjo është e mundshme dhe jo e domosdoshme, për shkak se në bazë të kodit të procedurës penale si dikush që është dyshimtë, sikurse dikush që është dëshmitar apo ekspert apo çfarëdo rrethana tjera që i përcakton kodi i procedurës penale nuk do të thotë që gjithmonë të merren në pyetje në gjykatë, në prokurori, sepse gjithmonë ka përjashtime, ndoshta do duhej të mendohej dhe për këtë çështje dhe propozim të zëdhënësit të qeverisës, mirëpo, kjo nuk do të thotë se do të bëhet ashtu, sidoqoftë gjithçka duhet të harmonizohet”, tha Gashi për EO.

Ai thotë se ftesa e parë përveç që ka qenë e ngutshme, kryeministrit Kurti i janë dhënë vetëm pesë ditë afat, ndërsa paraprakisht me një thirrje telefonike kanë mundur që të din, sipas tij për agjendën e kryeministrit dhe që të mos dërgojnë ftesa nëpër ditët kur kryeministri nuk do të jetë në Kosovë.

Ai ka thënë se ka qenë prezent në zyra të kryeministrave të tjerë kur prokurorë të rastit kanë ardhur dhe kanë kryer qoftë intervistime, qoftë deklarata.

“Në bazë të kodit të procedurës penale vendi mund të ndryshohet, që i bie që dikush mund të merret në pyetje në ambiente të tjera, dikush mund të jetë në spital, dikush në objekte të caktuara qoftë ushtarake apo civile dhe marrja e deklaratës dikujt jashtë prokurorisë apo jashtë gjykatës është e paraparë me ligj, kodin e procedurës penale, e kështu që nuk është fare skandal”.

Gashi tha se atë që ka propozuar apo thënë zëdhënësi i kryeministrisë është thjesht një propozim ligjor dhe “është çështje e prokurorisë që do ta akseptoj apo jo “.

“Kjo çështje nuk është fare urgjente për çka e kanë thirrur Albin Kurtin që të dëshmoj në cilësinë e dëshmitarit dhe besoj që pa marrë parasysh që dikush e vlerëson se mund të ketë dëmtime eventuale të votës së qytetarëve për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshme, unë mendoj që prokuroria me këto poteza jo aq diplomatike, por ligjore po se po, i  bie që po ndihmon vet Albin Kurtin meqenëse ai po konsiderohet një person, puna e të cilit konsiderohet se po ndërhyn dhe vet prokuroria, në këtë kohë të ndjeshme të fushatës parazgjedhore, e që fushata zgjedhore do të filloj pas një muaji”, thotë Gashi.

Gashi mohon se mund të ketë ndëshkime ligjore për këtë rast ndaj Kurtit.

“Nuk mund të ketë fare për shkak se në momentin që paraqitet para prokurorisë në cilësinë  dëshmitarit do ta njoftoj  prokurorin lidhur me atë se çfarë ai kërkon, në kuptimin pyetjet që do t’i bëjë dhe që ato do të faktohen gjithmonë në bazë të dokumenteve që janë”, tha ai.

Të ngjashme