Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës është arrestuar në shtëpinë e tij në Velani pas një operacioni nga EULEX-i dhe Policia, raporton Ekonomia Online.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati i tij, Valon Hasani.
“Sot ka pas një aksion në shtëpinë e Kransniqit dhe është bërë nisja për në Hagë”.
“Procedura ka zgjatur dhe Krasniqi dyshohet për vepra jo të specifikuara”.
Nipi i Krasniqit, Dardan Krasniqi, tha se po presin nga institucionet se si do të veprojnë në këtë rast.
“Si familje mbesim të shohim se si do të veprojmë ne e institucionet. Konfirmoj se është bastisur edhe shtëpia me fshat”.
Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale”, pati deklaruar Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pasi e kishte marrë ftesën për intervistim.