Avokati i të dyshuarit Dushan Maksimoviq, Dejan Vasiq, tha se do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij, raporton Ekonomia Online.
Ai ka bërë të ditur se klienti i tij nuk ka qenë në gjendje që të japë deklaratë, ngase ishte i shqetësuar për gjithçka që ka ndodhur.
“Dushan Maksimoviqit sot i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ne do të parashtrojmë ankesë dhe kemi paraqitur disa fakte që mendojmë se janë relevante dhe që tregojmë për diçka që ndoshta është më shumë mosmarrëveshje sesa që ka lidhje me veprën penale”.
“Paralajmëroj për nesër ankesë dhe do ta shohim se si gjykata do ta trajtojë këtë ankesë tonën. Dushani dje nuk ishte në gjendje të japë deklaratë. Ishte pak i shqetësuar për gjithë që ndodhi, por unë do të kërkoj që ai të merret në pyetje sa më parë, nëse është e mundur që nesër. Gjykimi është i mbyllur për opinionin dhe askush nga ne nuk ka autorizim që të japë detaje. Mendoj se ai do t’i thotë të gjitha për rastin”, ka deklaruar ai.
Ndërsa motra e të dyshuarit, Biljana Maksimoviq, beson se i vëllai i saj është i pafajshëm dhe se hetimet do të tregojnë të vërtetën.
“Krejt çka mund të them për vëllaun tim është se hetimet do të tregojnë të vërtetën. Ne jemi me të dhe do ta përkrahim”, tha ajo, për gazetarët.
Kur Policia e ka nxjerrë Maksimoviqin nga objekti i Gjykatës për ta futur në makinë, ajo është dëgjuar teksa ka bërtitur: “Jam këtu. Qëndro i fortë vëllai im!”.
Më pas ajo edhe ka vrapuar kur makina ka filluar të largohet, dhe e ka përshëndetur atë më dorë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, Maksimoviq dyshohet se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake.