Xhevdet Smakiqi, avokat i ish-komandantit të UÇK-së, Haxhi Shala tha se ai dje shkoi në Banjë të Malishevës për ta marrë babanë e tij dhe për ta çuar në spital, kur hasi në aksionin e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar dhe u arrestua.
Avokati tha në Frontal në T7 se s’ka pasur asnjë njoftim zyrtar për arrestimin dhe se Shala pritet që brenda 48 orëve të paraqitet për herë të parë para Gjykatës Speciale.
“Nuk jemi informuar dhe nuk mund të konfirmoj se cilat janë pretendimiet e prokurorit special. Por besoj që brenda 48 orëve, është obligim… z.Shala do të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe aty do t’i lexohet dyshimi ose kërkesa për caktimin e masës së sigurisë apo prezencës fizike”, tha ai.
Smakiqi tha se Shala “do të duhej të mbrohej në liri” pasi ai “do të paraqitej në mënyrë vullnetare”.
“Ai e ka prindin në moshë shumë të shtyer dhe ka shkuar që ta dërgojë në spital për një operim a një kontrollë mjekësore dhe aty ka hasur në aksionin e ZPS-së”, tha Smakiqi.
Ai tha se përveç telefonit, nuk është në dijeni se Shalës i është sekuestruar diçka pas bastisjes.