Masa konkrete për parandalimin e përdorimit të substancave narkotike tek fëmijët ka kërkuar Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) përmes një raporti me rekomandime që ua ka drejtuar gjashtë institucioneve shtetërore të Kosovës.
Këtë raport të publikuar një ditë më parë, IAP-i ua ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Raporti thekson se adresimi përkatës nga institucionet shtetërore i rasteve të përdorimit të substancave narkotike duhet të bëhet në pajtim me interesin më të mirë të fëmijëve, siç përcaktohet me Kushtetutë. Përveç të tjerash, sipas raportit, kjo duhet të bëhet edhe duke u ofruar fëmijëve informacione adekuate e të plota për substancat narkotike, për ta parandaluar abuzimin me to. Raporti argumenton paaftësinë e institucioneve të Kosovës për t’u përballë me këtë fenomen të dëmshëm për të rinjtë.
Sipas IAP-it, nga të dhënat e siguruara nga policia del se shkollat në Kosovë përballen me praninë e rasteve të përdorimit të substancave narkotike e që kërkon bashkëpunim dhe koordinim mes institucioneve arsimore dhe policisë për adresimin adekuat të tyre. Po ashtu, thuhet se të dhënat e Policisë tregojnë se për një periudhë të caktuar kohore janë arrestuar 710 persona, nga të cilët 150 fëmijë, e që për Institucionin e Avokatit të Popullit është shumë shqetësuese.