Avokati i Popullit në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbajti tryezën e rrumbullakët me qëllim të diskutimit për zotimet që kanë dhënë Institucionet e Republikës së Kosovës për përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT) i Këshillit të Evropës, pas vizitës së realizuar në tetor të vitit 2020.
Pas kësaj vizite, CPT-ja ka dhënë 100 rekomandime dhe 14 kërkesa për informata nga autoritetet relevante, si Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Drejtësisë (MD), Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Ministria e Financave dhe Transfereve.
Takimi u mirëprit nga pjesëmarrësit të cilët edhe ishin përgjigjur në rekomandimet dhe kërkesat e CPT-së, si dhe njoftuan se nga koha e dhënies se këtyre përgjigjeve, ka zhvillime të reja por edhe ngecje në disa rekomandime.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga MPB, MD, MSH, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Institucionet e Shëndetit Mendor, Inspektorati Policor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe nga zyra e zëvendës Kryeministres.
Të pranishmit u pajtuan që informatat plotësuese do të përcillen tek Zyra për Qeverisje të Mirë deri më 20 maj, ndërsa më 28 maj planifikohet të mbahet takimi i radhës, ku do të jenë të ftuar edhe autoritetet mbikëqyrëse dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Avokati i Popullit tha se është e rëndësishme zbatimi i rekomandimeve sepse ndikon në imazhin e Kosovës dhe në vlerësim të progresit nga institucionet ndërkombëtare që vendi ka arritur në rrugën e integrimeve dhe synimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, e që ndërlidhen me përparimin e respektimit të të drejtave të njeriut.