Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me projektin Drejtësi Sociale për Rom, Ashkali dhe Egjiptian, implementuar nga Misioni Terre des hommes në Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe Fondacioni HEKS, kanë mbajtur ceremoninë e përvjetorit të “Platformës kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian”, raporton Ekonomia Online.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër-diskriminim, tha se kanë ndërmarrë një varg aktivitetesh që qëllim kanë mbrojtjen nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Me këtë rast ka përmendur edhe shpërndajnë e fletushkave, duke shtuar se kanë bashkëpunim të mirë me Avokatin e Popullit.
“E kemi parë të nevojshme që në zonat ku nuk ka qasje të mjaftueshme kemi shpërndarë fletushka me qëllim sensibilizmi. Këto fletushka paraqesin raportin në të cilin shfaqen rastet e diskriminimit”.
“Faktikisht ne kemi një bashkëpunim tejet të mirë me Zyrën e Avokatit të Popullit dhe ndonëse si institucione kemi misione të ndryshme, jemi institucione të ndryshme, por këtu me qëllim të njëjtë”.
Avokati i Popullit Naim Qelaj, tha se duhet të vazhdohet bashkëpunimi ndërinstitucional për këtë çështje.
Ai ka ftuar qytetarët që të raportojnë diskriminim përmes platformës, duke u shprehu i shqetësuar me numrin e vogël të rasteve të raportuara.
“Platforma që e ka krijuar Zyra për Qeverisje të Mirë për mbikëqyrje të zyrtarëve, dhe e treta është kjo që po e shpalosim sot. Falënderoj të gjithë që kanë dhënë kontribut në këtë platformë sepse unë e konsideroj si një mënyrë tepër të mirë që qytetarët të mund të raportojnë diskriminimet, cilitdo qofshin ato. Parimi kundër diskriminimit është ndër parimet kryesore të sistemit”.
“Përdoruesit e Platformës Kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi, mund të raportojnë drejtpërdrejtë rastet e diskriminimit, qoftë në lidhje me përvojat e tyre apo incidentet që kanë parë, edhe nëse nuk janë të përfshirë drejtpërsëdrejti”.