Avokati i Popullit kërkon angazhim më të madh shoqëror për barazinë gjinore

Prishtinë | 08 Mar 2019 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas,  Institucioni i Avokatit të Popullit si mbrojtës i të drejtave të njeriut ka kërkuar angazhim më të madh shoqërorë dhe institucional për barazinë gjinore.

Ky institucion ka kërkuar që legjislacioni primar si dhe standardet e përcaktuara në instrumentet dhe konventat ndërkombëtare, të gjejnë zbatim të plotë dhe faktike, duke u bërë të prekshme dhe arritshme për secilën vajzë dhe grua, transmeton Klan Kosova.

“Njëherësh, parimi i shtetit të së drejtës, si parim themelor i Kushtetutës dhe Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas, duhet të jetë prioritet për të gjitha organet shtetërore, si dhe kërkon rol aktiv të  tyre  në sigurimin dhe zbatimin e obligimeve kushtetuese e ligjore”.

“Fenomenet destruktive, siç janë dhuna në baza gjinore dhe ajo seksuale, trafikimi me qenie njerëzore, martesat e hershme, etj. vazhdojnë të mbesin probleme që ndikojnë dhe prekin kryesisht vajzat dhe gratë”.

“Në anën tjetër, angazhimi i pamjaftueshëm institucional dhe shoqëror për sigurimin e të drejtës në një arsim cilësor, punësim të denjë, dhe qasje të barabartë në pronë apo resurse financiare, vetëm sa e thellojnë edhe më tej ndarjen dhe pabarazinë  gjinore ne vend, duke i hapur rruge fenomeneve të dëmshme për zhvillimin e një shoqërie të emancipuar dhe prosperuese”.

“Një shoqëri e barabartë në aspektin gjinor, pashmangshëm nënkupton edhe pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha sferat e jetës publike, duke filluar nga përfaqësimi i grave në pozita të larta vendim-marrëse e deri tek përfshirja e tyre në planifikimin dhe hartimin e politikave publike, te cilat ndikojnë drejtpërdrejte në jetesën dhe mirëqenien e të dy gjinive”.

“Megjithatë, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij, sa i përket hapësirës dhe mundësive reale që grave iu jepen për të qenë pjesë  e drejtimit dhe vendim-marrjes institucionale. Përfaqësimi i barabartë i burrave dhe grave, i garantuar përmes Ligjit për Barazi Gjinore, ndonëse do duhej të ishte standard i padiskutueshëm, vazhdon të mbesë çështje e vullnetit politik”.

“Nisur nga kjo, Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson obligimin e autoriteteve për të vepruar në praktikë dhe të sigurojnë që parimi i barazisë të mos mbetet vetëm vlerë e garantuar de jure, por edhe de fakto”.

Të ngjashme