Avokati i Popullit Naim Qelaj merr pjesë në Konferencën Botërore të Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve

Prishtinë | 16 Maj 2024 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, së bashku me zëvendësin e tij, Niman Hajdari, po marrin pjesë në të 13-tën Konferencë Botërore të Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve (IOI), me fokus në temën “Veproni së bashku për të nesërmen tonë”, e cila po mbahet në Hagë, Holandë.

Konferenca Botërore e IOI-së synon të eksplorojë rolin e Ombudsmanëve në formësimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët.

Derisa bota po përballet me sfida të shumta, si ndryshimi i klimës, zhvillimi i vlerave shoqërore, gjithëpërfshirja dhe mbrojtja e të drejtave të brezave të ardhshëm, agjenda e konferencës është përqendruar në çështjet:

  • Ndryshimet klimatike dhe kushtet e jetesës: adresimi i nevojës urgjente për të zbutur kërcënimet mjedisore dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës.
  • Dilemat e vlerave: adresimi i kompleksiteteve etike për të mbështetur parimet e drejtësisë, integritetit dhe llogaridhënies.
  • Përfshirja dhe arritja e grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara: Promovimi i barazisë sociale dhe sigurimi i qasjes në drejtësi për të gjitha segmentet e shoqërisë.
  • Gjeneratat e ardhshme: Përqafimi i një qasjeje largpamëse ndaj politikë bërjes dhe qeverisjes që mbron interesat e brezave që do të vijnë.
    Gjatë diskutimeve u nënvizua përgjegjësia kolektive e Ombudsmanëve në mbarë botën në adresimin e sfidave bashkëkohore dhe nxitjen e progresit të qëndrueshëm.
    Gjithashtu, u theksua se në një epokë ku qeverisja e mirë dhe të drejtat e njeriut po sfidohen vazhdimisht, është detyrë e Ombudsmanëve të përshtaten, të inovojnë dhe të bashkëpunojnë për të përmbushur misionin e tyre jetik.
    Prandaj, në këtë kuptim, duke njohur ndikimin e veprimeve të tanishme në rezultatet e ardhshme, pjesëmarrësit po angazhohen në shkëmbimin e ekspertizave dhe përvojave të tyre për të lehtësuar dhe thelluar bashkëpunimin e ndërsjellët.
    Avokati i Popullit do të jetë i përkushtuar që të shfrytëzoj konstatimet dhe rekomandimet e adresuara nga kjo konferencë për t’u angazhuar në avancimin e të drejtave dhe liritë themelore në vendin tonë, duke nënvizuar rolin kryesor të veprimit bashkëpunues për një të nesërme më të ndritshme.
    Institucioni i Avokatit të Popullit që nga vitit 2012 është anëtar institucional me të drejtë vote në Institutin Ndërkombëtar të Ombudsmanëve.

Të ngjashme