Avokati i Popullit për Ligjin për Skemat Sociale: Të respektohet vendimi i Kushtueses

Prishtinë | 10 Kor 2023 | 12:17 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati i Popullit ka mbajtur debatin “Pensionet kontributpaguese – të drejtat e pensionistëve dhe kontributpaguesit e diskriminuar”, raporton Ekonomia Online. Krejt kjo pas miratimit të Ligjit për Skemat Sociale nga Qeveria, vendim ky i marrë pas shpalljes së mendimit nga Gjykata Kushtuese për projektligjin.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se të larguarve me dhunë nga puna në vitet e 90-ta u janë shkelur të drejtat. Ai përshëndet miratimin e ndryshimit Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i datës 16 janar, me të cilin qytetarëve të larguar nga puna gjatë viteve të 90-ta, të cilët për këtë arsye nuk kishin arritur ta plotësojnë kriterin prej 15 vite përvojë kontribut-paguese, që kjo e drejtë t’ju njihet nëpërmes ndryshimit të këtij ligji.

Avokati i Popullit kishte kërkuar ndryshimin e Ligjit për Skemat e Financuara nga Shteti, qysh më 6 prill 2018 kur edhe kishte nxjerrë Raportin me Rekomandime Ex officio Nr. 235/2018 drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit.

Avokati i Popullit kishte rekomanduar ndryshimin e ligjit, përkatësisht të nenit 8 të tij si dhe Udhëzimit Administrativ për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues, sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional, gjë që edhe urdhërohet edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, Avokati i Popullit vlerëson se sa u përket skemave pensionale ka akoma çështje të cilat mbeten të hapura për diskutim dhe trajtim.

“Çështjet për të cilat do flasim sot janë fondi i pensioneve  e detyrimi i shtetit, konsideroj se e drejta e mohuar në dorën e autoriteteve duhet adresuar dhe shpresoj që pas këtij takimi do arrijmë në konkluzione mbi këto çështje”.

“Nëse i referohemi vendimit të gjykatës kushtetuese. Çfarë duhet të ndodhë që të merren masat e nevojshme për këto tri çështje që unë i përmenda, janë rekomandimet; ndryshimi i ligjit në përputhje me Gjykatën Kushtetuese që të mos ketë me karakter diskriminues. Të fillohet të zbatohet ligji për familjarë dhe invalidë”, tha Qelaj në fjalën hyrëse.

“Pensionet kontribut-paguese janë vetëm një nga skemat pensionale që parasheh ligji dhe se skema tjera si e drejta në pension invalidor të punës dhe e drejta në pension familjar akoma nuk kanë gjetur zbatim, edhe pse këto njëjtë sikur se e drejta në pension kontribut-pagues paraqesin të drejta të fituara”.

Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi në këtë institucion, tha se shumë persona nuk kanë mundur të dëshmojnë përvojën e punës për shkak të largimit të pavullnetshëm nga puna.

Sipas saj, secili person që ka kaluar 65 vjeç ka marrë të njëjtën vlerë të pensione, pavarësisht a ka pasur përvojë të punës ose jo.

“Do ishte mirë t’i shkohet kronologjiket ndodhive se largimi diskriminues të zyrtarëve shqiptarë nga regjimi serb është praktikë diskriminuese. Personat që besohet se janë diskriminuar, janë edhe pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali e egjiptianë. Shumë prej tyre nuk kanë mundur të dëshmojnë përvojën e punës për shkak të largimit të pavullnetshëm nga puna”.

“Secili që i ka mbi 65 vjeç e ka marrë të njëjtën shumë. Më pas e drejta për pension për persona me aftësi të kufizuara, ky nuk është pension është beneficion që merret nga shteti. Raporti i lëshuar i trajton vetëm rastet e personave të larguar me dhunë nga puna. Avokati i Popullit ka konstatuar se një praktikë e tillë diskriminuese duhet të mos vazhdojë më. Prandaj Avokati i Popullit ka propozuar ndryshimin e ligjit, përkatësisht nenit 8”.

Ndue Kalaj, nga Sindikata e ish-nëpunësve Shtetërorë të Kosovës të viteve të 90-ta, foli për rëndësinë dhe rolin e sindikatave dhe të shoqatave në zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe bashkëpunimi me autoritetet shtetërore, raporton EO.

“Është për keqardhje të madhe që sot përfaqësuesit e kuvendit dhe të qeverisë sepse zbatimi i ligjit nuk është çështje fakultative por obligative. Deri më 15 korrik është dashur të bëhet amandementimi i nenit 8, paragrafit 2. Ne në Kosovë nuk kemi përgjegjësi të institucionit. Vërtetë është shumë peshë e rëndë nëse një shtet që po udhëton drejt Evropës nuk po mundet të zbatojë një ligj”.

“Këto dispozita janë më diskriminueset dhe më turpruese që ka mundur t’i vendosë një shtet në Ballkan. Ligji është manipulativ sepse kërkon kontribute që nuk ekzistojnë. Punëtorëve të arsimit iu pranohet kontributi, pse nuk u pranohet atyre që janë larguar dhunshëm nga puna”, u shpreh Kalaj.

Të ngjashme