Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore, ka publikuar Raportin me rekomandime Ex-officio nr. 489 /2018, lidhur me përdorimin e substancave narkotike nga fëmijët.
Në njoftimin për media të Avokatit të Popullit thuhet se rasti është hapur sipas detyrës zyrtare me qëllim të vlerësimit të gjendjes aktuale rreth përdorimit të substancave narkotike nga fëmijët në Kosovë dhe adresimit të rekomandimeve tek institucionet përkatëse, në mënyrë që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve përdorues të substancave narkotike.
Avokati i Popullit, pas rishikimit të legjislacionit përkatës, të instrumenteve ndërkombëtare, informatave të mara nga Institucionet e ndryshme dhe OJQ-ve dhe të dhënave që i ka, vlerëson se përdorimi i drogës nga fëmijët është shqetësuese, shto faktin e rënies rapide të moshës së përdoruesve, e cila nga viti në vit ka arritur të prek edhe fëmijët e moshës 10 vjeçare. Po ashtu, në këtë raport Avokati i Popullit konstaton se ekziston mungesë e qendrave të specializuara për trajtimin e të rinjve përdorues të substancave narkotike dhe mungesë të programeve përkatëse vetëdijësuese dhe parandaluese si dhe mungesë e shërbimeve dhe trajtimit të përdoruesve të substancave narkotike si për nga shtrirja gjeografike ashtu edhe për nga cilësia.
Tutje, Avokati i Popullit konstaton se ekziston mungesë e ekspertizës, tek punonjësit e Qendrave për Punë Sociale për t’u marrë me rastet e fëmijëve që përdorin substancat narkotike, në kuadër të mandatit të tyre ligjor.
Gjithashtu, ky raport jep rekomandime specifike dhe konkrete lidhur me veprimet që duhet t’i ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë, Policia e Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, në drejtim të përmirësimit të gjendjes aktuale.
Ky Raport me rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse dhe është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Institucionit të Avokatit të Popullit.