Rivlerësim të vendimit për riorganizimin e mësimit në shkollat e Kamenicës i ka rekomanduar Institucioni i Avokatit të Popullit kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati.
Përmes një raporti, ky institucion ka konstatuar se moszhvillimi i procesit mësimor në disa shkolla është i papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtat e fëmijës për arsimim, të parapara me Kushtetutë.
Sipas raportit, vendimet e kryetarit Kastrati rreth riorganizimit të mësimit janë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe me standardet e përcaktuara nga Ministria e Arsimit.
Në Raportin e Avokatit, thuhet se “Komuna ka kompetenca në ofrimin e arsimit parauniversitar, mund edhe të riorganizojë sistemin e arsimit në komunë, mirëpo duke i respektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm të lartcekur në raport”.
Në raport theksohet se shkolla “Fan Noli” në Kamenicë në të cilën ishin dërguar nxënësit e Busavatës është e mbuluar me tjegulla me përmbajte asbesti dhe se vijimi i mësimit në këtë objekt paraqet rrezik për shëndetin e tyre.
Drejtori i shkollës “Hasan Prishtina”, në Busavatë, ka kërkuar nga kryetari i Komunës që t’i marrë parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit.
Të njëjtin qëndrim e kanë edhe banorët e fshatit Strezoc. Shkolla e këtij fshati, ndonëse në gjendje të mirë infrastrukturore, ka mbetur e mbyllur tash e një vit.
KOHA ka kërkuar një qëndrim nga kryetari Qëndron Kastrati, i cili ka sugjeruar t’u dërgohen pyetje me shkrim, mirëpo nga Zyra për media nuk kanë kthyer përgjigje.
Avokati i Popullit në raport ka kritikuar edhe faktin që nxënësve të fshatit Krilevë dhe Strezovc të Kamenicës nuk u janë shpërndarë tekstet shkollore, për dallim me shkollat e tjera.
Po ashtu, sipas raportit, nxënësit e komunitetit rom të Strezocit, që kanë zgjedhur mësimin në gjuhën shqipe, pa dëshirën e tyre po vazhdojnë mësimin në gjuhën serbe, meqë nuk kanë pranuar të udhëtojnë në Kamenicë.
Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se organizimi i sistemit arsimor në Kosovë duhet të jetë i njëjtë në të gjitha komunat dhe të bëhet vetëm nga Ministria e Arsimit.