Avokati i Veselit: Prokuroria e Speciales ka bashkëpunuar me një kriminel serb të luftës

Prishtinë | 20 Maj 2022 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson është shprehur i indinjuar me veprimet e Prokurorisë së Speciales sa i përket vonesës në zbulimin e materialeve të domosdoshme për mbrojtjen.

Ai ka thënë se Prokuroria nuk duhet të lejohet që të adoptojë praktika kur materialet i zbulon pak kohë para dhënies së dëshmisë së dëshmitarit në Trup Gjykues.

“Është e rëndësishme që ZPS të mos lejohet të adoptojë praktikë të nxjerrë materiale pak kohë para se të vijë një dëshmitar për të dhënë dëshminë para Trupit Gjykues. Çështja është e rëndësishme dhe duhet të analizohen ato që nxjerren”, tha ai.
“Ne jemi të shqetësuar se kur flitet për kërkime të posaçme, ZPS nuk i ka përfunduar këto kërkime. Në këtë mënyrë, gjuha e përdorur mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Në qoftë se materialet nxirren gjatë gjykimit, ato që do duhej të nxirreshin tani, kjo do të krijojë vonesa të konsiderueshme gjatë procesit të gjykimit. Na duhet ta pezullojmë pastaj çështjen”, tha tutje ai.

Sa i përket provave të ardhura nga Serbia, Emmerson ka përmendur një rast kur shërbimet e zbulimit serb kanë korruptuar dëshmitarë para Trupit Gjykues në Hagë.

“Ekzistojnë prova nga procesverbalet që shërbimet e zbulimit serb kanë kërkuar që ta korruptojnë dëshminë para trupit gjykues. Një dëshmitar e ka pranuar atë. Dëshmia e tij ishte e rreme. Ne nuk e pranojmë pohimin që Serbia i ka të gjitha dëshmitë”, tha ai.

Edhe më shqetësuese ishte një deklaratë e Emmerson se Prokuroria ka bashkëpunuar me një kriminel lufte të Serbisë, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, kjo është shqetësuese.

“Serbia është problem në vetvete në lidhje me rregullën 103. Mendoj që ka jurisprudencë të bollshme në lidhje me atë sa i takon kur bëhet vlerësimi i besueshmërisë së provave nga Serbia. Bashkëpunimi i ZPS-së me një kriminel lufte serb, është shqetësuese dhe të çon në përfundimin se është një problem themelor që duhet zgjidhur, dhe duhet zgjidhur tani”, ka thënë Emmerson.

Të ngjashme