Mungesa e avokatit Burim Islami, i cili ka njoftuar se është i zënë në tjetër gjykim, ka bërë që të shtyhet seanca e shqyrtimit fillestar, në rastin ku J.I po akuzohet se ka shkaktuar aksident ku vdiqën dy vëllezërit e tij Sh.I. dhe F.I, dhe u lënduan N.A dhe E.S.
Avokati Islami përmes një parashtrese të 29 tetorit 2021 ka njoftuar gjykatën se është i angazhuar edhe në një seancë tjetër në Gjykatën Themelore në Gjilan dhe i ka propozuar gjykatës që seanca të caktohet në një datë tjetër.
Në këto rrethana, gjyqtarja Drane Simani, ka shtyrë seancën e sotme për 24 nëntor 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E pranishme në këtë seancë kanë qenë prokurorja Rozelida Manastiri.
Ndryshe, aktakuza e ngritur në nëntor të 2019-ës nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ngarkon të akuzuarin se në tetor të vitit 2019, në rrugën Gjilan-Ferizaj, në fshatin Budrike e Epërme, derisa drejtonte automjetin e markës BMW 530 D, nga pakujdesia shkel Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor nga neni 48 dhe neni 53, paragrafi 1.
Në aktakuzë thuhet se duke qenë se i akuzuari nuk e përshtat shpejtësinë dhe kushtet e rrugës ashtu që me të arritur tek kthesa në të majtë, e humb kontrollin mbi automjetin dhe duke rrëshqitur kalon në shiritin e kundërt të qarkullimit dhe me pjesën e djathtë të mesit të dyerve të automjetit të tij godet automjetin “Seat Leon”, në pjesën e përparme të tij, të cilën e drejtonte E.S.
Sipas aktakuzës, ky i fundit në momentin kritik ishte duke lëvizur nga Kllokoti në drejtim të Gjilanit, më ç’rast rezulton me vdekjen e dy personave Sh.I. dhe F.I, të cilët ishin pasagjerë në veturën e të akuzuarit si dhe lëndime trupore pësojnë N.A dhe E.S, të cilët detyrohen të kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional të Gjilanit-Qendra Emergjente, raporton Betimipërdrejtësi.
Me këtë, i akuzuari J.I ngarkohet me veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9, në lidhje më paragrafin 6 e 1 të Kodit Penal, e cila vepër është e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.