Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi të gjeturat e një hulumtimi rreth një gurthyesi në kodrën e Cerrnushës mbi fshatin Kçiq të Mitrovicës dhe pretendimet e një shtetasi gjerman se u pengua nga zyrtari policor Dibran Fejzullahu.
Edhe avokati i Thomas Rusches, Kadri Osaj, thotë së klienti i tij në vazhdimësi është penguar nga polici Fejzullahu.
“Në vazhdimësi është penguar edhe nga ana e vëllait të Ismetit, i cili është polic dhe sipas tij ai ka pasur autorizime të merr veprime në njësinë punuese në gurthyes”, tha Osaj.
Mendim të njëjtë me avokatin Osaj nuk ndajnë dy avokatët Mahmut Halimi e Betim Shala që mbrojtën dy të akuzuarit për falsifikim të nënshkrimit.
Ata po thonë së polici i Kosovës vetëm pse ishte vëllai i Ismetit kishte shkuar në gurthyes.
“Dibran Fejzullahu është vëllai i klientit tim, Ismet Fejzullahut. Nuk mund të themi se është përzier mirëpo këta të tre kanë jetuar në Gjermani dhe jetojnë dhe shumë punë ne kompani i ka krye Dibrani”, tha Betim Shala avokat i Ismet Fejzullahut .
Edhe Mahmut Halimi, avokati i Manfred Linse, i cili ishte njëri nga 3 aksionarët që investuan në kodrën e pasur me gur vullkanik, thekson se Dibrani nuk ka gisht në pretendimet e Rusches.
“Nuk mund të them për z. Dibran se është pjesë e atij biznesi apo ndonjë marifeti qysh përpiqet ta paraqes z. Rusche se e ka penguar apo ka ndërmarrë ndonjë veprim në drejtim të tillë. Mirëpo Dibrani dhe Ismeti janë vëllezër dhe kur ai ka lajmëruar se po vjen ndonjë makineri Dibrani ju ka ndihmuar”, tha Halimi.
Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin lidhur me shtetasin gjerman, i cili erdhi në Kosovë bashkë me dy ortakë të tjerë për të investuar mirëpo biznesi i tyre sot është shndërruar në një gërmadhë.
Tomas Rusche po akuzon dy ortakët e tij, Mandred Linsen dhe Ismet Fejzullahun, se shkatërruan gjithçka kur ia falsifikuan nënshkrimin.
Lënda e falsifikimit të nënshkrimit pret zgjidhje në Gjykatën e Mitrovicës pasi që emisionit DnK ia kishte konfirmuar kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, se aktakuza në prokurori është ngritur. (KALLXO.com)