E kam thënë edhe herë tjera që të gjitha këto fitore juridike të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese, janë meritë e punës profesionale dhe të jashtëzakonshme të avokatit Faton Fetahu. I tillë ishte rasti i djeshëm, ku institucioni më i lart juridik kushtetues e shpalli si antikushtetues ligjin e pushtetit për zyrtarët publikë. Kjo betejë ndërmjet avokatit dhe pushtetit e mbart kulturën moderne të patriotizmit konstitucional.
Mirëpo, mjerisht këto fitore juridike nuk po kapitalizohen politikisht. Ndërkohë, kushdo që e ka lexuar Hegelin, C. Shmitt-in, apo H. Arendt-in e kupton se ku qëndrojnë arsyet e këtij tensioni ndërmjet pushtetit dhe nomosit juridik të vendit (temë kjo që kërkon trajtim tjetër)
Sidoqoftë, këto kundërthënie tash e tutje do të kristalizohen kryesisht në terma politikë.
Pushteti pas këtyre disfatave të njëpasnjëshme juridike, do të mundohet që këto humbje t’i paraqes si rezultat i veprimeve të asaj që quhet si “deep state”. Pra pasojë e strukturave që edhe pse kanë humbur politikisht, por falë penetrimit të tyre në sistemin juridik dhe shtetëror nën emrin e drejtësisë procedurale, po i kundërvihen në mënyrë konspirative “drejtësisë popullore”.
Retorikë kjo që kemi pasur rastin ta dëgjojmë edhe në vende të tjera. Kështu, mbartësit e pushtetit do të insistojnë edhe për më shumë mbështetje popullore për ta finalizuar rrugën e çlirimit përfundimtar. Sepse nuk mjafton vetëm fitorja e tanishme politike.
Në këtë kontekst, sfida kryesore e opozitës do të jetë sa do të jetë në gjendje, që këto fitore juridike t’i argumentojë politikisht pse janë në interes të publikut dhe të shtetit? Sepse populli kurdo që shfaqet ai mund të jetë vetëm si kategori plurale dhe johomogjene.
Apo sikurse gjykimi i djeshëm që e forcon sigurinë juridike të administratës shtetërore nga tendencat e pushtetit për ta monopolizuar vendimmarrjen brenda saj. Betejë kjo, që dyshoj se do të ketë sukses.
Prandaj, edhe në këtë rast mund të ndodhë ajo që është përsëritur vazhdimisht këto vitet e fundit. Ku partia në pushtet humbjet juridike i ka konvertuar në fitore politike, kurse opozita fitoret juridike i ka shndërruar në humbje politike. Sepse këtë betejë nuk mund ta fitojë një avokat i vetem.