Ka mbrojtur palë në procese të vështira. Ka qenë avokat i shumë zyrtarëve të lartë shtetëror. Pothuajse të gjithë politikanët i ka miq, por refuzon të bëhet pjesë e politikës, e për këtë ka disa arsye. Çka e bezdis më shumë në Prishtinë, sa orë në ditë punon, a do të pranonte të bëhej kryeministër ose president konsensual, për këto e shumë të tjera, avokati Arianit Koci flet për lajmi.net.
Lajmi.net: Me çka e kishe karakterizuar vitin 2017 ne aspektin e zhvillimeve politike?
Koci: Zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje, krizë, depresion dhe shumë marrëzira prej zyrtarëve shtetëror. Kjo nuk është mënyra më e mirë për të filluar intervistën e Vitit të Ri, por ky është realiteti i hidhur. Duhet ta kuptojmë që Kosova nuk mund të ketë prosperim, pa e ndryshuar vetën secili prej nesh. Dua të them që për këtë depresion në shoqëri dhe ngecje në zhvillimin e shtetit tonë, të gjithë i kemi ngapak fajet. Politikanët që nuk punojnë si duhet, dhe ne që vazhdojmë t’i votojmë.
Lajmi.net: Gjykata Speciale e mire, apo edhe një padrejtësi për kosovaret?
Koci: Jam ndër të parët që e ka ngritur zërin kundër Gjykatës Speciale, për vetëm një arsye: kam menduar që kjo Gjykatë duhet t’i trajtojë të gjitha krimet e luftës, e jo vetëm krimet e supozuara që janë të përfshira në raportin e Dick Martyt. Thjesht, krejt bota demokratike e din kush është agresori/krimineli e kush viktima. Popullit tonë lufta i është imponuar, dhe ne kemi mbrojtur pragun e shtëpisë. Ky fakt, nuk e amniston askend nëse eventualisht ka kryer krime lufte. Përgjegjësia penale është individuale. Sidoqoftë, në momentin kur Gjykata Speciale është votuar nga ana e deputetëve tanë, ne kemi marrë obligime ndërkombëtare. Tani më nuk ka kthim mbrapa. Dalim shumë joserioz nëse mundohemi ta zhbëjmë këtë Gjykatë.
Lajmi.net: Edhe sa do te merreni me punën e avokatit?
Koci: Kam punuar punë të ndryshme: prej punës në fabrikë, filigranit, artarisë, mësimdhënies, gazetarisë. Sidoqoftë, gjithmonë kam lexuar shumë dhe vazhdoj të lexoj. Kam shumë energji dhe duhet vazhdimisht te merrem me diçka. Përvoja ime në shumë profesione më ka ndihmuar shumë në avokaturë. Ky profesion është kompleks dhe avokati duhet patjetër të ketë kulturë të gjerë dhe njohuri bazike prej shumë fushave.
Lajmi.net: Cili ka qene rasti me i komplikuar qe keni mbrojtur?
Koci: Çdo rast i ka specifikat e veta. Gjykimi funksionon si një organizëm i gjallë: është kompleks, dhe çdo aksion e ka reaksionin e vet. Asnjëherë nuk mund të parashikosh fundin me saktësi. Gjithmonë e ke një palë kundërshtare, e cila nuk rrinë duarkryq, por ndërmerr veprime aktive për implementimin e planit apo hipotezës së vet. Në anën tjetër, shpesh klientët nuk janë të sinqertë me avokatin, dhe ia vështirësojnë punën. Sidoqoftë, e dua këtë profesion për shkak se vazhdimisht mëson gjëra të reja, të detyron të jesh gjithmonë aktiv, i informuar dhe i kujdesshëm. Natyrisht, për shumëkend është profesion stresues, për shkak të dinamikës dhe problemeve që paraqiten në baza ditore. Më së vështiri është të punosh me njerëz: sidomos me njerëz që kanë probleme.
Lajmi.net: Pothuajse te gjithë politikanet i ke miq, a keni pasur ndonjë kërkesë ose lutje që t’i bashkohesh politikës?
Koci: Kam pasur edhe kërkesa edhe lutje për kyçje në politikë. Nuk kam pranuar, madje edhe poste shumë atraktive. Nuk më pëlqen politika në formën çfarë bëhet te ne. Punoj shumë dhe vazhdimisht në një mënyrë kam qenë shef i vetvetes. Edhe pse jam i lehtë për bashkëpunim, kërkoj shumë prej bashkëpunëtorëve. Nuk kam arsye të mos kërkoj, kur nuk e kursej vetën sa i përket punës. Prandaj, mirë jam kështu si jam.
Lajmi.net: A kishe pranu me qenë president ose kryeministër konsensual i Kosovës?
Koci: Mendoni që e meritoj të jem? Nëse më kërkohet, natyrisht që nuk mund të refuzoj që të punoj me popull dhe për popull. Sigurisht që kisha bërë ndryshime pozitive për një kohë të shkurtër. Kjo është një klishe bajate që e përdorin politikanët jo kreativ dhe të pasinqertë. Kërkoj falje prej lexuesve dhe prej juve për këtë mahi. Është kohë festash, dhe lejohet pak digresion. Sidoqoftë, këto dy poste duken atraktive, dhe dorën në zemër, po t’mu kishte dhënë mundësia për të marrë ndonjërin prej këtyre posteve, ndoshta do të kisha lakmuar të pranoj një përgjegjësi të tillë. Por, në anën tjetër, nuk e kam atë ambicie, dhe rrjedhimisht as nuk kam punuar në atë drejtim.
Lajmi.net: Sa ore pune bëni ne ditë?
Koci: Asnjëherë nuk punoj më pak se 12 orë në ditë. Sidoqoftë, e bëj edhe baraspeshën e duhur dhe shëtis shumë. Në të njëjtën kohë, jam shumë i shoqërueshëm, dhe çdo socializmi më sjellë kënaqësi dhe qetësi shpirtërore. Natyrisht, sporti nuk mungon. Nuk mundem pa aktivitete fizike te të gjitha formave.
Lajmi.net: Sa jeni i saktë ne kohë?
Koci: Saktësia në kohë është pjesë e karakterit të një njeriu. Unë jam shumë i saktë, dhe nëse ndonjëherë vonohem – për arsye objektive, unë nuk e ndiej vetën mirë: më kap nervozë dhe me çdo kusht tentoj ta minimizoj vonesën.
Lajmi.net: Çka te bezdis ne Prishtine me shume?
Lajmi.net: Papastërtia, ndotja e ajrit, mungesa e gjelbërimit dhe moskujdesja deri në urrejtje ndaj kafshëve, posaçërisht ndaj qenve dhe macave. Nuk e di ndonjë kryeqytet në Evropë që i trajton më keq qentë – prej qytetarit e deri te institucionet përgjegjëse.
Lajmi.net: Flamurin e Kosovës apo kombëtar e keni me për zemër?
Koci: Jam rritur duke kultivuar dashurinë për flamurin kombëtar. Vazhdoj ta kem për zemër dhe gjithmonë do të kem. Por, e kam për zemër edhe flamurin e Kosovës. Besoj që mund të kesh për zemër të dy flamujt. Nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi, në rastin tonë, ata e plotësojnë.