Avokati Ardian Bajraktari ka folur rreth problematikave të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media i cili u miratua ditën e djeshme, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në Facebook, Bajraktari ka thënë se cenimi i ndonjërës prej të drejtave të garantuara me kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të duhej vlerësuar si rrethanë e mjaftueshme për kthim në rishqyrtim të ligjeve të miratuara.
“Rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media, tashmë të miratuar, krahas shumë aspekteve të diskutuara e shumë reagimeve, vlen të theksohet se me anë të këtij Projektligji, nga shumë ndryshime substanciale e që sipas vet nenit 2 të tij thuhet se i njëjti është pjesërisht në përputhje me direktivat përkatëse të BE-së, d.m.th. nuk është në përputhje. Po ashtu vlen të theksohet se është hequr mekanizmi përkatësisht Bordi i Ankesave që ishte paraparë me ligjin aktual, madje duke ja kushtuar një kapitull të tërë (kapitullin VI), ndërsa me draftin e miratuar, kjo çështje është hequr tërësisht, me çka bënë një devijim nga rregulli parimor i dyshkallshmërisë në procedurë administrative”, tha ai.
Tutje ai ka thënë vendimet e Komision janë përfundimtare, në procedurë administrative, dhe ato mund të goditen vetëm me padi në gjykatë.
“Pra, janë vendime të ekzekutueshme, me çka palët do të detyrohen që krahas padisë të paraqesin edhe propozim për masë të përkohshme, ndryshe vendimet e KPM-së duhet të zbatojnë një veprim dhe vendim atipik, jo logjik dhe me mungesë arsyetimi legjitim për këtë ndryshim. Nëse do të ishte logjika e zvogëlimin të numrit të të emëruarve, kjo nuk qëndron, ngase kemi rritje të numrit të anëtarëve të Komisionit nga 7 sa janë aktualisht, në 11 sa parashihen me projektligjin e ri. Heqja e Bordit të Ankesave, nënkupton që palët t’i drejtohen gjykatës, si me padi, ashtu edhe me propozim për masë të përkohshme, e kjo nënkupton, ndër të tjera edhe ngarkesë shtesë për sistemin gjyqësor, edhe ashtu të ngarkuar”, ka thënë Bajraktari.