Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se ngritja e aktakuzës në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, është bërë brenda afatit optimal, ndërsa tregon palët e interesuara mund të kenë qasje në kopjet e pjesëve të aktakuzës, veçse kjo duhet të bëhet me kërkesë në Gjykatë, raporton Ekonomia Online.
Bajraktari ka treguar se sa mund të dënohen dorasit e kësaj vrasje, ku të akuzuar janë Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, Granit Plava si doras, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale. Të tre janë në paraburgim.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në lidhje me rastin e të ndjerës Liridona Ademaj, e ngriti aktakuzën brenda afatit optimal, bazuar në specifikat e rastit, me theks të veçantë zbulimin e motivit, si njëri prej elementeve kyçe në lidhje me këtë çështje. Pra, nuk ka pasur asnjë dileme që kemi të bëjmë me vepër penale të vrasjes së rëndë, shkalla e ndëshkueshmëria për këtë vepër është më burgim jo më pak se 10 vite, ose me burgim të përjetshëm”, ka shkruar Bajraktari.
Sipas Bajraktarit, organi i ndjekjes është treguar korrekt me publikun dhe të kujdesshëm në raport me obligimet ligjore, teksa tregon se palët e interesuar mund të kenë qasje në kopjet e pjesëve të aktakuzës.
“Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Prokurorja e rastit, ishin korrekt me publikun dhe të kujdesshëm në raport me obligimet ligjore për sa i përket qasjes në aktakuzë, në këtë fazë, në raport me kufizimet ligjore të parapara në nenin 237, të Kodit të Procedurës Penale. Vlen të ceket se palët e interesuara, me kërkesë drejtuar gjykatës, nga ky moment e deri tek shqyrtimi fillestar i procesit, mund të kenë qasje në kopjet e pjesëve të aktakuzës, me inicialet e të pandehurve, kualifikimin ligjor të veprës penale si dhe përshkrim të shkurtër të dispozitivit të aktakuzës. Kjo është një indikacion i mirë që rasti është trajtuar me po kaq përkushtim dhe profesionalizëm sa u dëshmua sot, në mënyrë që procesi të vazhdoj tutje brenda parametrave të parapara me ligjin në fuqi dhe epilogu i procesit të rezultojë më vendim gjyqësor të bazuar ekskluzivisht në prova të grumbulluara sipas ligjit”, u shpreh Bajraktari.