Avokatja reagon për ndalim të mbulesës në shkolla: Arsimi duhet të jetë i hapur për të gjitha vajzat

Prishtinë | 29 Tet 2025 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Avokatja Nora Huseinovic ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme që lë në fuqi faktin se mbulesa mbetet e ndaluar në shkolla. Padia ishte bërë nga   “Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, e paraqitur kundër MASHTI-it duke kërkuar që të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014 (MASHT) Kodi i Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për Nxënës të Shkollave të Mesme të Larta.

Avokatja ka thënë se shteti ka dështuar në testin e demokracisë, duke bërë thirre që arsimi duhet të jetë i hapur për të gjitha vajzat, pa dallim.

Postim i plotë:

𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐨𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐭𝐞𝐬𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐝𝐞𝐦𝐨𝐤𝐫𝐚𝐜𝐢𝐬𝐞̈: 𝐆𝐣𝐲𝐤𝐚𝐭𝐚 𝐒𝐮𝐩𝐫𝐞𝐦𝐞 𝐢 𝐭𝐡𝐨𝐭𝐞̈ “𝐉𝐎” 𝐬𝐡𝐚𝐦𝐢𝐯𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐥𝐥𝐚𝐭 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐞

Sot kam pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, me të cilin kjo gjykatë refuzon të shfuqizojë Udhëzimin Administrativ që ndalon bartjen e shamive në shkollat publike.

Gjykata, ndër të tjera, konstaton se institucionet ekzekutive janë bazuar në dispozita të Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjit për Arsimin Profesional, sipas të cilave “nxënësit obligohen për bartjen e uniformës shkollore” dhe se “rregullat e kodit të mirësjelljes për nxënësit i nxjerr MASHTI me akt nënligjor”.

Në këtë logjikë, gjykata ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ është në përputhje me kompetencat ligjore të ekzekutivit.

Megjithatë, Gjykata ka dështuar të arsyetojë se si shamia e kokës e një vajze të mitur në shkollë mund të paraqesë “kërcënim për laicitetin e shtetit” apo “kërcënim për neutralitetin e sistemit arsimor”.

Po ashtu, Gjykata Supreme mbështetet në një Aktvendim për papranueshmëri të Gjykatës Kushtetuese (KI 36/11, datë 30.09.2011), ku pas shpalljes së kërkesës si të papranueshme, Gjykata Kushtetuese megjithatë është lëshuar në komentime të panevojshme mbi meritat e çështjes.

Nga aspekti juridik, në bindjen time:

1.⁠ ⁠Gjykata ka anashkaluar Nenin 55 të Kushtetutës, sipas të cilit të drejtat dhe liritë mund të kufizohen vetëm me ligj, jo me akte nënligjore.

2.⁠ ⁠Baza ligjore i jep kompetencë ekzekutivit të përcaktojë rregulla të mirësjelljes dhe uniformës, por jo të kufizojë liritë kushtetuese të qytetarëve.

3.⁠ ⁠Aktvendimi për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese (KI 36/11) nuk është i detyrueshëm juridikisht (nuk ka peshën e një aktgjykimi mbi meritat) — as për vetë Gjykatën Kushtetuese, e aq më pak për gjykatat e rregullta.

Beteja ligjore në këtë çështje strategjike do të vazhdojë me kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij Aktgjykimi të Gjykatës Supreme.

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se ky Aktgjykim nuk e pengon ekzekutivin që, bazuar në kompetencat ligjore që ka, të shfuqizojë në çdo kohë Udhëzimin Administrativ diskriminues dhe t’i japë fund përjashtimit të vajzave me shamia nga shkollat publike.

Koha është që shteti të jetë garant i të drejtave dhe lirive, jo kufizues i tyre.

Arsimi duhet të jetë i hapur për të gjitha vajzat — pa dallim.

Të ngjashme