Pjetër Nrecaj nuk ka arritur t’i dëgjojë provat dhe faktet që prokuroria ka arritur t’i sigurojë për vrasjen e dyfishtë që ai dyshohet se e ka kryer.
Pasi atij i është kumtuar lajmi se si pasojë e plumbave që shkrepi nga kallashnikovi i tij, la të vdekur, përveç gruas, edhe vajzën e tij 9-vjeçare, është alivanosur dhe është dërguar në spital, raporton ktv.
Pasi është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë dhe Psikiatrisë, ky spital ka kërkuar që Nrecaj të dërgohet për trajtim të mëtutjeshëm në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
I veshur me antiplumb dhe i siguruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Nrecaj nga Psikiatria është bartur për në Institut.
Drejtori i Psikiatrisë thotë se Nrecaj u pranua në gjendje të rëndë shëndetësore.
Por gjendja psikologjike e Nrecajt natën kur dyshohet se e kreu vrasjen ishte stabile.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, të cilën e ka siguruar kohavisioni, prokurori Ali Uka pretendon se Pjetër Nrecaj me dashje ka vrarë gruan dhe vajzën e tij.
“Ditën kritike, i pandehuri Pjetër Nrecaj shkon te shtëpia e vëllezërve të tani së ndjerës Valbona, për ta bindur që të kthehet te ai për të bashkëjetuar. Duket se tani e ndjera Valbona nuk ka dashur të shkojë në shtëpinë e bashkëshortit të saj dhe i pandehuri, me armën automatike AK-47, ka shtënë disa herë në drejtim të tani të ndjerave Valbona dhe Klara Nrecaj, duke i privuar nga jeta e më pas me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes dhe shkon në drejtim të panjohur. Pas pak kohësh, i njëjti lajmërohet në polici”.
Në arsyetimin e prokurorit për caktimin e paraburgimit, theksohet edhe rreziku që i kanoset të dyshuarit nëse lihet në liri.
Prokurori thotë se ndaj tij mund të hakmerret dikush nga familjarët e gruas së vrarë.
Ktv-ja edhe gjatë ditës së enjte ka kërkuar sqarime nga ana e policisë në Gjakovë për mënyrën se si ishte trajtuar në të kaluarën ky rast i dhunës në familje, por ky institucion nuk ka dhënë asnjë sqarim, duke sugjeruar të pyetet prokuroria.
Por Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë së enjtes, ka konfirmuar se ka nisur hetimet për disa zyrtarë të Policisë në Gjakovë me dyshimin për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave.