Avokatura e Shtetit me rreth 30 mijë lëndë – në gjykime u fituan 5.5 milionë €, u humbën 2 milionë

Prishtinë | 27 Mar 2022 | 08:31 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 30 mijë lëndë ka aktualisht në punë Avokatura e Shtetit, duke përfshirë këtu edhe 3 417 raste të pranuara vitin e kaluar, ka konfirmuar zëvendësavokatja e Përgjithshme, Fitore Gajtani, në një intervistë për Ekonomia Online.

Ajo ka bërë të ditur se momentalisht në Avokaturën Shtetërore janë nëntë avokatë. Por Ministria e Drejtësisë ka ndarë buxhet për punësimin edhe të pesë avokatëve të tjerë.

“Në Avokaturën Shtetërore momentalisht jemi 9 avokatë, duke më përfshirë edhe mua si zëvendës e Avokatit të Përgjithshëm shtetëror. Sa i përket stafit, avokatura shtetërore ka në proces konkursin për avokat të ri, meqenëse Ministria e Drejtësisë na ka përkrahur në këtë aspekt duke ndarë buxhet për punësimin edhe të 5 avokatëve shtetërorë të tjerë. Kështu që, në këtë moment jemi në fazën e rekrutimit por që po shpresojmë që shumë shpejtë do të vije edhe deri tek përfundimi për rekrutimin e këtyre 5 avokatëve”, tha Gajtani.

“Faktikisht, Avokatura Shtetërore është e ngarkuar jashtëzakonisht shumë me raste të procedurave gjyqësore, duke e pasur parasysh që funksionon me vite të tëra dhe deri më tani në Avokaturën Shtetërore janë rreth 30 mijë lëndë”.

Gajtani ka sqaruara se për vitin 2021, vlera monetare e humbjeve si pasojë e proceseve gjyqësore që ishin në disfavor të shtetit të Kosovës ishte 2 milionë euro, duke përfshirë edhe pjesa e shpronësimeve e lëndët përmbarimore.

Ndërsa vlera monetare e fituar, ishte 5.5 milionë euro, ku përfshihen të gjitha kontestet.

“Sa i përket vlerës monetare të humbur në data bazën të dhënave, Avokatura Shtetërore ka të regjistruar rreth 2 milionë euro për lëndët që konsiderohen të humbura. Por, një shpjegim do ta bëja në këtë çështje meqenëse ka të bëjë me çështjet e shpronësimit për tokat që janë shpronësuar, andaj për këtë çështje janë paguar sipas ekspertizave që janë zhvilluar në gjykata. Përfshihet te kjo shumë edhe pjesa e shpronësimit, po ashtu lëndët përmbarimore të cilat janë kryer shërbime nëpër dikastere të caktuara dhe se vlerat e larta përfshihen edhe tek pjesa e përmbarimores”, raporton Ekonomia Online.

“Tek vlera e fituar, Avokatura Shtetërore gjatë vitit të fundit, do të thotë gjatë vitit 2021, ka rreth 5 milionë e gjysmë lëndë të fituara, ku përfshihen të gjitha kontestet duke mos bërë ndarje në këtë vlerë”, tha Gajtani, raporton Ekonomia Online.

Zëvendësavokatja për Ekonomia Online njoftoi se, Avokatura Shtetërore momentalisht i ka disa lëndë në arbitrazh, ku pesë prej këtyre janë aktiv, disa të tjera në fillim të procedurës e disa në përfundim

“Avokatura Shtetërore i ka disa lëndë në arbitrazhin ndërkombëtarë. 5 prej tyre janë aktive, disa janë në fillim të procedurës, disa janë në përfundim. Por fakti ende nuk kemi marrë ndonjë vendim nuk mundemi shpalos detaje shtesë meqenëse mund të ndikojnë negativisht në procesin e vendimmarrjes në arbitrazhin ndërkombëtar”.

Gajtani tha se kushtet e punës në Avokaturën Shtetërore janë të mangëta, duke sqaruar se janë duke bërë përpjekje për gjetjen e një hapësire më të përshtatshme të punës.
“Sa i përket hapësirës së punës në avokaturën shtetërore, jemi duke bërë përpjekje me dikasteret përgjegjëse për mundësinë e gjetjes së një zgjidhje më të favorshme meqenëse për momentin kushtet në Avokaturën Shtetërore, janë pak sa të mangëta”.

“Duke pasur parasysh edhe rritjen që do të bëhet në stafin e avokatëve do të kemi problematikë por që jemi duke bërë përpjekje për një zgjidhje sa më të favorshme që është e mundur”, raporton EO.

Të ngjashme