Organizata joqeveritare “Avonet” thotë se rrugët dhe trotuaret në komunën e Ferizajt janë në një gjendje të keqe pas reshjeve të borës.
“Bora e janarit e cila mbuloi sot qytetin e Ferizajt, siç duket ka zënë në befasi Komunën e Ferizajt. Rrugët e Ferizajt janë të mbushura me borë, po ashtu edhe trotuaret janë të pa pastruara dhe kështu janë bërë të pa qarkullueshme për këmbësorët dhe njëherit po rrezikon edhe jetën e qytetarëve”, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj organizate.
Sipas Avonet, pavarësisht që autoritetet komunale kanë kontraktuar tre kompani për heqjen e borës siç i kanë zënë të papërgatitura për një situatë të tillë edhe pse sinoptikët e motit kanë paralajmëruar një mot të tillë.
Më tutje, Avonet i bën apel komunës së Ferizajt që të ndërmarrë hapa të shpejtë për të pastruar së paku rrugët kryesore dhe trotuaret.
Një gjendje e rëndë e rrugëve thuhet se është edhe nëpër fshatrat e komunës së Ferizajt.