Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit e Kosovës së bashku me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar në Prishtinë 127 inspektime për mosrespektimin e masave anti-COVID.
Në aksionin e mbrëmshëm janë gjobitur 18 biznese dhe janë mbyllur 12 lokale.
Kështu tha Lamir Thaçi, zëdhënës i AVUK-ut.
Thaçi tha se për shkak të mosrespektimit të masave janë gjobitur edhe 18 persona fizikë.
“Në 127 inspektime të realizuara janë shqiptuar 18 gjoba për persona fizik dhe 18 gjoba për persona juridik. Po ashtu janë mbyllur 12 lokale. Jemi të vendosur që me të gjitha kapacitetet që kemi do të veprojmë për të ruajtur shëndetin e përgjithshëm publik, asnjë shkelës nuk do të amnistohet”.
Zëdhënësi i kësaj agjencie shtoi se do të vazhdohet me këso aksionesh.
Ai tha se nuk do të ketë tolerime për shkelësit e Ligjit për Parandalimin e Pandemisë.
Lamir Thaçi theksoi se secili qytetar e ka për obligim të zbatojë masat anti-COVID.