Shteti është duke asistuar që të shiten lirshëm barnat e dyshimta që hyjnë ilegalisht në Kosovë dhe që nuk i nënshtrohen kontrollit të cilësisë para se të dalin në treg. Të tilla po pajisen me banderola.
Vetëm gjatë 2017-s, rreth një milionë banderola kanë mundur të përfundojnë në tregun e zi, shkruan sot Koha Ditore .
E dhëna është evidentuar në një raport auditimi që mban të stampuar statusin “Jo për publikim”, por një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”. Dokumenti përmban gjetjet kryesore në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM), në krye të të cilave është ajo për banderolat. Të tjerat kanë të bëjnë me standardet e dyfishta në procesin e licencimit të operatorëve të brendshëm e të jashtëm që bëjnë importimin e produkteve mjekësore, pastaj me kontratat për shërbime të veçanta, e gjetje të tjera.