Azemi: 150 mijë punojnë pa kontrata, buxheti humb 50 milionë €

Prishtinë | 16 Sht 2017 | 13:15 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) e vlerëson alarmante gjendjen e punëtorëve në sektorin privat.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, në një konferencë për gazetarë, tha se janë më shumë se 150 mijë punëtorë në Kosovë që janë pa kontrata pune. Sipas tij, buxheti i Kosovës do të rritej për 50 milionë euro nëse do të paguheshin kontributet për këta punëtorë nga kompanitë private.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante dhe assesi ne si sindikatë nuk po shohim shenja të rregullimit të çështjes së tyre. Asnjë qeveri deri më tani nuk e ka dhënë kontributin pozitiv që këtyre punëtorëve, sado pak t’iu lehtësohet barra ekonomike”, ka thënë Jusufi, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, Azemi numëroi disa nga problemet kryesore me të cilat përballen punëtorët e sektorit privat, si mungesa e kushteve dhe e sigurisë në punë, orari i stërzgjatur, pagat e ulëta etj.

“Duam të njoftojmë institucionet se në Kosovë janë 150 mijë punëtore që punojnë pa kontratë pune. Meqë kryeministri ka thënë se dua të punoj, atëherë ne jemi të gatshëm të punojmë, sepse për këtë numër të punëtorëve, Kosova po humb me mijëra euro nga buxheti i saj”, tha Jusufi.

Sipas tij, rreth 70 për qind e kompanive nuk i paguajnë punëtorët e tyre me kohë.

Kjo sindikatë e quan poshtëruese pagën minimale në Kosovë, e cila është 130 euro, respektivisht 170 euro për punëtorët mbi moshën 35-vjeçare. “Kërkojmë që paga minimale të jetë 250 euro”.

Duke e lidhur këtë temë me migrimet që u tha, para disa ditësh, se kanë rinisur, Jusufi tha se me këtë papunësi e kushte të këqija për ata që punojnë, nuk ka si të ndalet eksodi i të rinjve.

“Shpeshherë ne po dimë të kritikojmë dhe po themi a thua pse Stacioni i Autobusëve është me plot të rinj. Unë them se deklaratat përmes televizionit që të rinjtë nuk kanë të drejtë të shkojnë jashtë, janë të pasinqerta. Kjo do të qëndronte nëse udhëheqësit, qeveritë dhe ministritë, merren në mënyrë me serioze me këta punëtorë. Unë nuk guxoj t’i them askujt mos dil në migrim, sepse me 130 euro pagë, është diçka që nuk ia vlen të bisedohet”, ka thënë Azemi.

Tjetër shqetësim i SPSPK-së është rrezikimi i shëndetit dhe jetës së punëtorëve në sektorin privat, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. Shumë raste ka pasur që kanë përfunduar edhe me fatalitet. “Jemi rekord për një periudhë 10-vjeçare të rasteve të vdekjes të punëtorëve gjatë orarit të punës”, ka thënë ai.

Ndërpritet greva e punëtorëve teknikë në shkollat e kryeqytetit

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat njoftoi se është ndërprerë greva katërditore e punëtorëve teknikë të disa shkollave në Prishtinë.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, bëri të ditur se punëtorët tashmë janë paguar për punën që kanë bërë.

Ai tha se fajtor për mospagesën e punëtorëve nuk ka qenë kompania MSS, mirëpo Komuna e Prishtinës e cila nuk i ka transferuar mjetet për pagesën e punëtorëve.

Javën e kaluar, punëtorët teknikë të pesë shkollave në Prishtinë të cilat ishin të kontraktuar nga kompania MSS kanë protestuar, e më pas edhe janë futur në grevë për shkak se nuk i kanë marrë pagat e muajit gusht. Sipas tyre kompania i ka paguar punëtorët nga buxheti i saj vetjak edhe për muajin paraprak, pasi Komuna e Prishtinës nuk i ka transferuar mjetet për kompaninë.

Të ngjashme