Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim për uljen e tarifave prej 8 përqind për konsumatorët familjar që shpenzojnë mbi 800 kWh.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Visar Azemi nga LDK.
Ai ka thënë se kjo është “hajgare hesapi”, pasi sipas tij pushteti që për dy vite e shtrenjtoi rrymës 100%, po e ulë çmimin tash për 8%.
“Kjo është hajgare hesapi. Pushteti që për dy vite e shtrenjtoi rrymën 100%, sot po e zbritë 8%. A e dini çka i bie kjo? Nëse para ardhjes në pushtet të Kurtit faturën e keni pagu 100 euro, pas dy viteve mandat të kësaj qeverie, të njëjtën e keni pagu 200 euro. E me lirimin e sotëm, e paguani 184 euro.”
Ai ka thënë se duhet pasur parasysh se zbritja 8% po bëhet tek konsumatorët që harxhojnë mbi 800 kWh në muaj, në sezonën e verës kur konsumi bie.
“Duhet pasur parasysh se zbritja 8% po bëhet tek konsumatorët që harxhojnë mbi 800 kWh në muaj, në sezonën e verës kur konsumi bie drastikisht, pra shumica e familjeve s’harxhojnë kaq rrymë. Rrjedhimisht, duke mos arritur këtë shifër, shumica e familjeve nuk përfitojnë nga kjo ulje e çmimit.”
Azemi ka shtuar se “kjo zbritje simbolike po vjen në një periudhë kur çmimi i rrymës ka rënë dukshëm globalisht”.
“Ky mashtrim vjen në formë propagande derisa pushteti ka nuhatur zgjedhjet e reja. Pavarësisht kësaj, s’ka zbritje çmimi që e ndalon rënien e këtij pushteti. Nëse me 8% ulje çmimi po doni t’i ruani përqindjet e votave, ju garantojmë se ato do të bien në përqindje dyshifrore.”