Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka treguar për detajet rreth organizmit të protestë për 1 maj, ku do të protestohet për kushtet e punëtorëve të sektorit privat.
“Është një protestë simbolike, dhe kemi ftuar kryetarët e mbi 50 shoqatave sindikale në Prishtinë, bashkë me nënkryetarët, në protestë pritet të jenë të pranishëm rreth 150 udhëheqës sindikatash”, tha Azemi në Ora 7 në Klan Kosova.
Azemi tha se kjo protestë po bëhet me qëllim që t’i dërgojnë një mesazh Qeverisë dhe pronarëve të kompanive.
“Ne nuk po shohim një sinjal pozitiv në ri-rregullimin e gjendjes së punëtorëve të sektorit privat. Ajo për çdo ditë po shkon duke u përkeqësuar. Ne do të kërkojmë atë që Qeveria e ka pasur për obligim ta bëj, sepse ka pasur që marrëveshjen kolektive ta nënshkruaj qysh moti, ka pasur për obligim që ta formojë gjykatën e punës, ka pasur për obligim që të kemi një fond social nëse kemi raste të lëndimeve në punë”, u shpreh tutje Azemi.
Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat u ankua se Qeveria nuk po mban kontakt me sindikata e sektorit privat.
“Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Punës, nuk ka dialog me sektorin privat të Kosovës, dhe nuk ka dialog me të gjitha sindikatat private të Kosovës, dhe kjo është më e rënda”.
“Dëmi më i madh që po u shkaktohet punëtorëve privat është se mbi 70 përqind e tyre që janë këtu, qëllimin përfundimtar e kanë si të ikin nga Kosova, pasi që nuk iu kemi krijuar kushtet elementare, mos të flasim mesatare, ose maksimale, nuk iu kemi krijuar kushtet optimale për mbijetesë”, tha Azemi.