Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas takimit me drejtorin menaxhues të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, Petrit Pepaj ka njoftuar se ka kërkuar rimbursimin e qytetarëve dhe hetim të secilit njehësor, raporton Ekonomia Online.
Azemi tha se është kërkuar dorëheqja e bordit të këtij institucioni si dhe ndërhyrja e KEDS në heqjen e njehësorëve nga shtëpitë e qytetarë pasi përben vepër penale.
“Pra, i deponuam dëshmitë të cilat i kam mbledhur nga mostrat e mia, të cilat i kam verifikuar në terren, dhe të gjitha mostrat të cilat m’i kanë dërguar qytetarët e Republikës së Kosovës. Ju ishit në takim brenda, e pashë që edhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës ju bëra të ditura stafit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Kërkova hetim të plotë, të pavarur të secilit njehsor në Republikën e Kosovës që është keqpërdorur dhe që është manipuluar nga KEDS-i. Kërkova gjithashtu që të ndalohet ndërhyrja e KEDS-it në heqjen e këtyre njehsorëve nga shtëpitë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse kësisoj ata po bëjnë vepër penale. Po e heqin faktin, po e asgjësojnë provën, dhe asgjësimi i provave përbën vepër penale. Kërkova gjithashtu dorëheqjen e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shkak se kanë dështuar në implementimin e vendimeve të tyre dhe në ruajtjen e konsumatorëve. Pra, i gjithë ky skandal i përmasave të mëdha i ka shkuar për shtati KEDS-it dhe KESCO-s, ndërsa është penalizuar qytetari. Dhe këtë e ka pasur për detyrë dhe obligim me e mbrojtë Zyra e Rregullatorit për Energji. Dhe në fund, kërkova që të bëhet rimbursimi i secilit qytetar të Republikës së Kosovës. Secili qytetar që është faturuar padrejtësisht nga mostrat të cilat i paraqita – ka fakte e fakte të bollshme që qytetarët janë faturuar padrejtësisht – secili prej tyre duhet me u kompensu. Paratë duhet me ia kthyer cent më cent secilit qytetar të Republikës së Kosovës. Prandaj, nga ky takim ne gjithashtu morëm disa përgjegjësi nga zyrtarët e ZRRE-së, të cilët thanë se ne do t’i kompensojmë të gjithë ata në momentin që pas hetimit vërtetohet se ka pasur manipulime dhe keqpërdorime të orëve. Ne pas kësaj do të komunikojmë edhe me Ministrinë, dhe nga Ministria do të komunikojmë edhe me Hetuesinë, pra Prokurorinë Speciale, në mënyrë që mos të ndalemi dhe këtë rast ta çojmë deri në fund e ta trajtojmë ashtu siç duhet”, tha Azemi para medieve.
Ai gjithashtu tha se do të bëhet hetim nga ana e ZRRE-së.
“Ata pranuan që janë pjesë e të gjithë këtij diskutimi që është bërë ditëve të fundit. E kanë vërejtur edhe shqetësimin tonë që e kemi paraqitur dhe u zotuan se do të ketë hetim të pavarur për pjesët të cilat ju takojnë atyre. Ata madje na e bënë të qartë një gjë që është shumë thelbësore: Thanë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat tregon qartë që tarifa më e lirë fillon në orën 10 të mbrëmjes, jo në 4, jo në 3, jo në 6, jo kur do KEDS-i. Pra, në bazë të asaj, të gjitha dëshmitë që ne i deponuam aty tregojnë se ka pasur keqpërdorime në faturim. Dhe ne tani do të presim se çfarë tani në realitet do të bëjnë në ditët në vazhdim, por edhe ne do të jemi aktivë në mbledhjen e mostrave. Prapë ju bëj thirrje qytetarëve që këto verifikime m’i dërgojnë në mënyrë që ta kompletojmë dosjen sa më të pasur të mundshme”, tha Azemi.
“Kërkesat mundet me i mbulu pluhuri, po qytetarët s’ka me i mbulu pluhuri, sepse ne s’kemi me u ndalë dhe këto kërkesa nuk kemi me i lënë me përfundu në sirtarët e tyre. Kemi me kërku drejtësi për secilin njehsor, për secilin qytetar që është faturuar padrejtësisht”, tha Azemi.