Azemi për Kurtin: Partizani më i madh i Zajednicës

Prishtinë | 03 Nën 2023 | 19:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dikur gati ishte shndërruar në piroman duke e “luftuar” Zajdenicën, ndërsa “sot po shfaqet si partizani më i madh i saj”.

Përmes një postimi në Facebook, Azemi ka thënë se Kurti dikur bënte luftë të hapur me shtetësinë e Kosovës, ndërsa sot është gati të cenojë shtetin duke pranuar autonomi.

“Për kauzat e rrejshme të Kurtit, mos të harrojmë se kanë humbur edhe jetë njerëzish. Astrit Deharin e patën shpallur dëshmor në luftën kundër “Zajednicës”, e për vdekjen e tij akuzonin edhe njerëz me emra të përveçëm. Sot, përveçse nuk po zbardhet vdekja e tij siç ishte zotuar ky pushtet, protestohet e kërkohet drejtësi për të jashtë Kuvendit, e brenda tij Albin Kurti tregon se pse “Zajednica” e tij është e mirë. Çfarë fatkeqësie!”, ka thënë mes të tjerash Azemi.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Albin Kurti i “Zajednicës 2.0”

Ai që gati ishte shndërruar në piroman me gjithë partinë e tij, me pretekstin se po e luftonte “Zajednicën”, sot po shfaqet si partizani më i madh i saj. Përpjekjet e Albin Kurtit për ta “stolisur” e “zbukuruar” atë janë sa dëshpëruese aq qesharake.

Protestat, gurët e molotovi janë shumë të freskëta për t’u harruar. Siç nuk harrohen as akuzat për tradhëti kombëtare e serbofili. Me krejt këto, Kurti dikur zhvillonte luftë të hapur me shtetësinë e Kosovës, e sot është gati për të cenuar shtetin duke qenë i gatshëm për të pranuar edhe autonomi substanciale që është shumë më shumë se çka dikur ishte mbërritur si kompromis.

Për kauzat e rrejshme të Kurtit, mos të harrojmë se kanë humbur edhe jetë njerëzish. Astrit Deharin e patën shpallur dëshmor në luftën kundër “Zajednicës”, e për vdekjen e tij akuzonin edhe njerëz me emra të përveçëm. Sot, përveçse nuk po zbardhet vdekja e tij siç ishte zotuar ky pushtet, protestohet e kërkohet drejtësi për të jashtë Kuvendit, e brenda tij Albin Kurti tregon se pse “Zajednica” e tij është e mirë. Çfarë fatkeqësie!

Të ngjashme