275 euro është paga që marrin punëtorët teknikë të Kuvendi të Kosovës, andaj ata kanë paralajmëruar grevë nga dita e martë. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Azemi ka thënë se kjo pagë nuk mjafton për jetesën e një personi e lërë më për të mbajtur familje. Sipas tij, kompania në fjalë ka mundësi buxhetore për të bërë një rritje të ndjeshme të pagave por që sipas tij nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e tyre.
“Realisht ne jemi duke e marr me problemin e tyre dhe që nga fillimi i javës së kaluar ne kemi bërë kërkesë që ta takohemi me njerëzit relevant kompetencë për rritjen e këtyre pagave ne kemi arritur që të takohemi me sekretarin e Kuvendit dhe drejtorin e administratës. Ata na kanë shpjeguar se rritja e buxhetit në total është shitur është bartë tek kompania dhe në fakt për momentin për mos rritjen e pagës është përgjegjës kompania për të cilën e kemi thirrur për me biseduar, sepse kështu nuk mund të punohet, nesër është hapi i parë si paralajmërim që do të jetë një orë protestë para kuvendit të Kosovës. Nëse edhe prapë nuk do të ketë lëvizje, atëherë nga java e ardhshme nënkupton që do të jemi në grevë. Kompania ka buxhet të cilët ia ka nda Kuvendi për këtë obligim që ka. Ne mendojmë që as nuk duhet të rriten pagat ose pas njoftimit të punëtorëve do të ndërpritet tërësisht puna”, ka thënë Azemi.
Azemi ka thënë për këtë kërkesë është njoftuar edhe Kuvendi i Kosovës, andaj është optimist se do të merren masa në këtë drejtim.
“Tek ne janë anëtarë të sindikatës që një muaj dhe më herët nuk jemi marrë me të sepse në momentin që nuk është anëtarë i sindikatës ne nuk guxojmë që të merremi me ta. Se sa është e mjaftueshme një pagë prej 275 euro nëse e llogarisim për një person kur llogarisim ushqimin që duhet me shpenzuar ku secili duhet të paguaj transport për të ardhur deri këtu. Kur e llogarisim që e ke atë punëtorë gjatë tërë orarit të punës me 275 euro. Tash për tash është një çështje mizërie por megjithatë ne tani fatin nuk duhet ta lejmë në dëshirat e të tjerave dhe do të kërkojmë gjithherë atë që na lejon ligji. Realisht është diçka që kërkesën tonë e ka parë të arsyeshëm edhe Kuvendi i Kosovës. Është kërkesë ligjore që edhe ata deklarohet që kompania ka mundësi ka buxhet për me rrit edhe pse ne e dimë sa është ai buxhet”, ka thënë Azemi.
Kryetari i kësaj sindikate ka potencuar se është në dijeni për shpenzimet e kompanisë dhe sa mjete marrin nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, një familje sot është e pamundur t’ia dalë me 275 euro.
“I kemi bërë ato kalkulimet të shpenzimet të kompanisë dhe e dimë se sa mjete i merr nga Kuvendi, ka mundësi që të ketë një rritje të ndjeshme të pagave të punëtorëve, ligji na lejon që të qëndrojmë në grevë dhe nuk do të kryejmë punë. Në bazë të ligjit derisa ata do të mund të qëndrojnë pa kryerjen e shërbimeve edhe ne pse të mos rrimë pse mos të kërkojmë të drejtën që na takon. Është një çështje që nuk po mund t’ia dalim jo me 275 euro por sot me një familje 3-4 anëtarësh nuk mund t’ia dalësh as me 500 euro”, u shpreh Azemi.