Eksodi i madh i qytetarëve të Kosovës që ikën në kërkim të një jetë me e mirë, la bosh Kosovën, shkollat, vendet e punës etj.
Mirëpo, ata që migruan për në BE, tashmë po i rikthehen atdheut, disa me zor e disa me qejf. E si duket azilantëve kosovarë u ka pëlqyer jeta atje.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në tremujorin e vitit 2017 janë kthyer 2005 persona të ripranuar nga shtetet e ndryshme. Prej tyre me forcë janë kthyer 1340 apo 65% dhe vullnetarë 665 apo 35 %, shkruan Indeksonline.
Shteti Gjerman prinë ndër shtetet prej të cilave azilantët janë kthyer me forcë, ku gjithsej janë 979, pastaj Zvicra 91, Suedia 74 e kështu me radhë.
Ajo çka dallohet në këtë raport, është numri i madh i kosovarëve që kanë kërkuar të heqin dorë nga shtetësia.
Në divizionin e shtetësisë për periudhën janar-mars 2017 janë marr 1305 vendime për lirim nga shtetësia, prej tyre 1280 pozitive, 25 negative.
Ndërsa, që nga viti 2009 deri në janar të 2017 shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë humbur me shtetësinë me lirim 37823 qytetarë.
Në anën tjetër, numri i atyre që kanë kërkuar të pajisen me shtetësi të Kosovës është i vogël.
Janë gjithsej 148 vendime për fitim të shtetësisë, ku prej tyre 58 pozitive dhe 90 negative dhe 18 kërkesa.