Me veshje kombëtare, Shaqir Hoti u ngjit në skenën e “Lumbardhit”. Një nga një prezantoi instrumentet e tij. Por në skenë nuk ishte i vetëm.
Jazz-muzikantët e njohur kosovarë, pianisti Ilir Bajri, kitaristi Armend Xhaferi dhe bateristi Nesim Maxhuni, ishin aty, shkruan sot “Koha Ditore”. Në këtë formë, muzika tradicionale shqipe u gërshetua me tinguj të jazzit për të krijuar një bashkëdyzim muzikor ku e vjetra shkrihet me të renë.
Si përfundim u realizua një koncert i veçantë. Shaqir Hoti, që për shumëkënd njihet si baca Shaqë, është muzikant i njohur kosovar, i cili tërë jetën ia dedikoi punimit e studimit të instrumenteve burimore, e në veçanti okarinës ilire. Prandaj edhe koncerti u quajt “Baca”.
Për bacën Shaqë, koncerti i së hënës në Prizren, ishte një lloj rikthimi i tij në qytetin e vjetër, të cilit këtu e gjashtë dekada më parë, ia kishte mësyrë në këmbë vetëm për të shkuar në shkollë të muzikës.
Këtë rrugëtim të tij jetësor, por edhe muzikor e shpalosi falë iniciativës së Bajrit. Ai një nga një shpalosi tingujt e ndryshëm që di të luajë me instrumentet që vetë i ka punuar. Publiku pati rastin të dëgjojë se si tingëllon okarina, gajdja e fyelli i shokës.
Këto ritme tradicionale që erdhën nën interpretimin e Hotit tingëlluan ndryshe me gërshetimin e baterisë, herë pianos e herë sintit dhe kitarës.
Koncerti është organizuar në kuadër të programit për ruajtjen e trashëgimisë jomateriale kulturore të Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS). Kjo nuk ka qenë hera e parë që baca Shaqë u bashkua në një projekt të tillë me muzikë jazz.