Vladimir Putin ka të drejtë.
Presidenti i Rusisë, që prej se Presidenti i Amerikës Donald Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe ka nisur të merret me arritjen e paqes në Ukrainë, sa herë ka folur për gjasat që t’i jepet fund kësaj lufte, të filluar në muajin shkurt të vitit 2022, ka theksuar që nuk mund të ketë paqe të mirëfilltë në mes të Rusisë dhe Ukrainës pa i adresuar shkaqet thelbësore të saj (të luftës, vër.ime).
Natyrisht, vlerësimet e tij për këtë çështje, me atë realitetin e njëmendtë të kësaj lufte, dallojnë si mendimet e atyre që janë të sigurte që Toka është e rrafshët, prej këtyre të tjerëve që e dinë mirë që ajo është e rrumbullakët.
Punë Koperniku dhe Ptolomeu pra.
Putin këtu është Ptolome. Për te, ‘operacioni special’ (ky kurrë nuk e ka quajtur luftë atë çfarë ka bërë Ushtria ruse në shtetin fqinj), i Rusisë në Ukrainë ka ndodhë për shkak të regjimit nazist në Kijev, shkeljes së të drejtave të rusëve në këtë shtet, dhe synimit të Aleancës Veri-Atlantike që të zgjerohet tutje kah Lindja, me anëtarësimin e Ukrainës në Paktin NATO.
Ukraina, Bashkimi Evropian por edhe SHBA-ja, kanë pozitën e Kopernikut.
Rusia ka bërë agresion ndaj një shteti sovran, me qëllimit të marrjes së gjithë territorit të këtij shteti, shuarjes (më pas) të tij si shtet sovran dhe bashkimit me Federatën e Rusisë.
Në këtë kontekst, nuk është pra aspak befasuese që Sergey Lavrov, Ministri i Jashtëm i Rusisë, ateroi në Alaskë, në Bazën ushtarake Elmendorf–Richardson në Anchorage, me një fanellë në të cilën shkruante CCCP (në qirilicë, shkurtesa për Bashkimin Sovjetik).
Dihet çfarë sentimentesh kanë Putin dhe Lavrov për Bashkimin Sovjetik.
Por në këtë rast, në Alaskë, sentimentet e këtyre të dyve kanë të bëjnë jo vetëm për CCCP-në, por edhe më shumë për atë kohën apo thënë më mirë, Epokën e ‘Luftës së Ftohtë’, kur paqja botërore dhe Rendi Ndërkombëtar vareshin kryekëput nga Samitet e liderëve të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik.
Të tjerët duhej t’i adaptoheshin dy superfuqive dhe të rreshtoheshin sipas mundësive të tyre.
Putin dhe Lavrov kanë mall për këtë kohë dhe për më shumë, ata janë të sigurtë që këto ditë janë kthyer, së paku kur bëhet fjalë për metodologjinë e punës në bisedimet me Amerikën për t’i ndalë armët në Ukrainë.
Shefi i Kremlinit nuk po flet fare me evropianë.
Apo, këto bisedime po i kryen vet Presidenti Trump. Ai nuk është vetëm ndërmjetësues në mes të Kijevit dhe Moskës, por edhe midis Evropës (përfshi këtu edhe Britaninë e Madhe), dhe Rusisë.
Ky zaten ka qenë njeri prej qëllimeve kryesore politike kur nisi agresioni i Rusisë mbi Ukrainën.
Ai më i rëndësishmi përkonte me negociatat dhe marrëveshjen (eventuale), në mes të Rusisë dhe SHBA-së për ndarjen e sferave të interesit në Evropë, ku ‘fqinjësia e afërt’ (e Rusisë), apo, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia do t’i takonin orbitës së Rusisë, dhe ku Pakti NATO nuk ka çfarë të kërkojë.
Duket që ditët dhe javët vijuese do të jenë vendimtare për të kuptuar se a po vjen me të vërtetë fundi luftës më të madhe në Evropë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore (në vitin 1945), e cila për më shumë shihet në të gjitha kryeqytetet perëndimore si një prelud për luftërat e ardhshme në mes të Rusisë dhe Evropës për rrumbullakimin territorial të Zonës ruse në Evropë.
Evropa po përgatitet për luftëra të reja me Rusinë në të ardhmen.
Këtë e dëshmon edhe përqafimi i shteteve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike të vendimit për ndarjen e 5% të GDP-së për mbrojtje në decenien e ardhshme.
Edhe nëse do të mbërrihet paqja në Ukrainë pra, ajo, sipas vlerësimeve evro- perëndimore, do të jetë vetëm një armëpushim afatmesëm, derisa Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, t’ia mësyjë ndonjë shteti tjetër evropian (sipas të gjitha gjasave, Moldavisë).
Me këtë çka do të ndodhë, apo çka mund të ndodhë pra në rastin e Ukrainës, nuk po vihen themelet e një Rendi të ri evropian të paqes.
Përkundrazi, vetëm po konstatohet (sërish), që ai Rend është ‘Work in progress’, dhe që nëse nuk do të merret parasysh ai mendimi fillestar i Putinit, Perëndimi do të ketë telashe edhe më të mëdha në të ardhmen me Rusinë.