Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli së bashku me përfaqësues të kabinetit të saj, është duke përfaqësuar Republikën e Kosovës në edicionin e tetë të Dialogut të Tranzicionit Energjetik në Berlin.
Forumi me moton “Nga ambiciet në veprime”, mbledh delegacione të nivelit të lartë nga më shumë së 50 shtete, si dhe përfaqësues nga komunitetet e biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile.
Gjatë fjalimit hapës të konferencës, ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock ka shprehur mirëseardhje për Ministren Rizvanolli dhe ka treguar për vizitën e saj në Kosovë në fillim të muajit, ku edhe është inauguruar parku energjetik i erës “Selac Windpark”.
Tutje gjatë fjalimit, Baerbock ka shtuar “Pasi që këtu të pranishëm janë shumë ekspertë që ndërtojnë sisteme të energjisë solare dhe erës, i ftoj përzemërsisht të jenë me ne dhe të interesohen se si mund t’i ndihmojnë Kosovës, jo vetëm në furnizim me energji, por edhe në aspektin e sigurisë në këtë situatë kritike.”