Ish-kryetari i Mitrovicës dhe ish-kryetar i Degës së Vetëvendosjes në këtë qytet, Agim Bahtiri, i është drejtuar me një postim në Facebookun e tij presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Nuk jemi më në ato kohëra kur mund të diskutohet për ndarjen e Kosovës siç bëhej më parë, apo për të vendosur kufizime mbi praninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të saj”, ka shkruar Bahtiri.
Ai ia ka rikujtuar Vuçiqit se tani në Kosovë udhëheq Albin Kurti, i cili sipas tij “nuk është një lider që bën kompromise në dëm të shtetit që ai përfaqëson”.
POSTIMI I PLOTË:
Z. Vuçiq,
Nuk jemi më në ato kohëra kur mund të diskutohet për ndarjen e Kosovës siç bëhej më parë, apo për të vendosur kufizime mbi praninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të saj.
Kryeministri Albin Kurti nuk është një lider që bën kompromise në dëm të shtetit që ai përfaqëson. Ai është një kryeministër që mbështet paqen dhe barazinë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie apo përkatësie politike. Ai beson në një Kosovë me kufijtë aktualë, të cilën e kanë njohur mbi 117 shtete të botës, ku secili qytetar gëzon të drejta të barabarta brenda kufijve të saj sovranë. Qeveria e Kosovës nuk shantazhohet prej këtyre kriminelëve që i organizon ti për të bërë tubime për mbylljen e kufijve. Synimi jonë është paqja dhe zhvillimi, jo ndarja dhe konflikti.
Duhet ta keni të qartë se askush nuk ka të drejtën të marrë vendime që shkelin integritetin territorial të Kosovës. Marrëdhëniet mes shteteve duhet të bazohen mbi respektin reciprok dhe sovranitetin e ndërsjellë. Në këtë frymë, bisedimet duhet të orientohen drejt një të ardhmeje ku paqja dhe bashkëpunimi janë qëllimet e përbashkëta, jo tensionet dhe ndarjet.
Kosova është një realitet, dhe ky realitet meriton respektin e të gjithëve, përfshirë edhe tuajin.
AB