Bahtiri pret zv.shefin e UNMIK-ut, muri ka kthyer tensionet

Mitrovicë | 12 Jan 2017 | 16:45 | Nga

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur zëvendësshefin e UNMIK-ut, Christopher Coleman, me bashkëpunëtorë, të cilët i ka njoftuar për situatën aktuale në komunë dhe për sfidat që e presin gjatë këtij viti.

Kryetari Bahtiri ju tha mysafirëve se situata e përgjithshme në komunën e Mitrovicës është mjaft stabile dhe e qëndrueshme. “Qytetarët e Mitrovicës, të të gjitha përkatësive etnike, drejtuesit e komunës dhe të gjitha institucionet tjera të pushtetit lokal, që nga ardhja ime në krye të komunës, kanë qenë shumë të përkushtuar për të tejkaluar problemet dhe sfidat e ndryshme, në veçanti ato nga fusha e sigurisë, andaj edhe kemi sot në komunë gjendjen që nuk dallon nga komunat tjera të vendit”, tha fillimisht kryetari Bahtiri.

Sipas tij, dëshira e qytetarëve për të jetuar në paqe e pa probleme dhe në një qytet të zhvilluar ekonomikisht, sjelljet e tyre të matura dhe përkushtimi e vendosmëria e drejtuesve dhe institucioneve të pushtetit lokal, si dhe bashkëpunimi i mirë me organet e rendit dhe të sigurisë, kanë bërë që në Mitrovicë të bien në mënyrë drastike veprat e ndryshme kriminale dhe në veçanti incidentet ndëretnike.

Kryetari Bahtiri në vazhdim ju ka thënë mysafirëve se muri i ndërtuar në mënyrë joligjore dhe në kundërshtim edhe me qëndrimet e BE-së, nga ana e drejtuesve serbë të komunës në veri të Mitrovicës, e ka tensionuar situatën e stabilizuar kohëve të fundit.
Mirëpo, shtoi ai, duke pas parasysh kundërshtimin e ndërtimit të murit aty ku nuk e ka vendin, nga qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, është reale të pritet që edhe kjo sfidë, pra rrënimi i murit, të tejkalohet pa probleme të mëdha dhe në mënyrë paqësore.

Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Christopher Coleman, i tha kryetarit Bahtiri se kërkesa e tij për takim ka pas qëllim që të njoftohet me situatën aktuale dhe me sfidat që e presin gjatë këtij viti, të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë për të mirën e qytetarëve dhe të qytetit, si dhe që të uroj punë të mbarë dhe rezultate në realizimin e synimeve dhe tejkalimin me sukses të sfidave.

“Ne jemi të njoftuar me punën e mirë që po bëni si kryetar i komunës, edhe pse jeni ballafaquar me sfida e probleme që nuk kanë qenë të lehta. Qasja e juaj praktike në komunikim me të tjerët, tejkalimin e sfidave dhe zgjidhjen e problemeve, është për tu përgëzuar. Po ashtu është për t’u vlerësuar edhe qasja e juaj në bisedat me kryetarin e komunës në veri të Mitrovicës, Goran Rakiq, për të mirën e qytetarëve të të dyja komunave dhe qytetit në tërësi. Kontributi i juaj për paqe dhe raporte të mira ndëretnike, është i njohur edhe në OKB”, i tha z. Coleman kryetarit Bahtiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme