Bahtiri: Sot presim rezultatet e 49 testimeve për COVID-19

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Ditëve të fundit në vendin tonë ka pas rënie të numrit të personave të prekur me COVID-19, ndërkaq rritje ka pasur në numrin e të shëruarve.

Të enjten më 30 prill, IKSHPK konfirmoi shtatë raste me COVID-19, ku nga ta u konfirmua rasti i parë në Mitrovicë.

Menjëherë pas konfirmimit të këtij rasti, kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri bëri të ditur se e infektuara është një vajzë 27-vjeçare punonjëse e “ETC”.

Bahtiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se sot presin rezultatet për 49 persona.

“Ne kemi marrë mostrat e 49 personave dhe i kemi dërguar në Prishtinë, sonte presim rezultatet”, ka thënë Bahtiri.

I pari i Mitrovicës tutje ka thënë se i kanë futur në vetizolim secilin punëtorë që ka pasur kontakt me të infektuarën por edhe familjarët e tyre.

“Kemi marrë masat e duhura dhe ekstra masa dhe po shpresojmë që nuk do të kemi rritje të të infektuarve”, u shpreh Bahtiri.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 813, ndërsa 298 pacientë janë shëruar.

Të ngjashme